Lidhje

Llalla: Trafikantët ndihmohen nga kush duhet t’i luftojë


Në Shqipëri prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha sot se në shumë raste narkotrafikantët ndihmohen nga individë që kanë për detyrë t’i luftojnë ata. Deklarata e tij vjen në momentin kur prokuroria ka deklaruar se dyshime për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në mbështetje të një organizate italo-shqiptare që trafikonte marijuanë. Zoti Tahiri publikoi sot një dokument të Prokurorisë së Catania-s në Itali sipas së cilës ndaj tij deri më sot nuk ka asnjë procedim për këtë çështje. Por sipas opozitës, dokumenti i paraqitur nga zoti Tahiri nuk ka asnjë vlerë

Kryeprokurori Llalla komenton për narkotrafikantët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

Ndërsa prej më shumë se një jave po zhvillohet një debat i fortë i cili ka në qendër ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i dyshuar sipas prokurorisë se ka lidhje me organizatën italo shqiptare që u godit në Catania të Italisë, kryeprokurori Adriatik Llalla duket se ju referua pikërisht këtij rasti kur në një konferencë për luftën kundër narkotikëve tha se “hetimet e Antimafias Italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis ne shume raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individeve qe kane per detyre goditjen e ketij krimi”.

Çështja Tahiri ka sjellë jo vetëm debate të forta politike por dhe një përlasje të qartë mes shumicës dhe prokurorisë e cila ka kërkuar autorizim për arrestimn e zotit Tahiri. Dje kryeministri Rama nuk i kurseu kritikat ndaj prokurorëve të çështjes ndërsa foli dhe për një prapavijë politike sipas tij. Por sot zoti Llalla u shpreh se “është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë”.

Nga ana e tij ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri publikoi një dokument të lëshuar nga prokuroria e Catania-s në Itali me kërkesë të tij. Sipas këtij dokumenti rezulton se kjo prokurori nuk ka nisur asnjë procedim ndaj tij deri në këto moment. “Prokuroria e Catania-s që ka hetuar 4 vjet këtë grup kriminal ku sipas prokurorisë shqiptare bëj pjesë unë, nuk ka gjetur asnjë herë, në asnjë moment, një lidhje të vetme qoftë dhe të largët të denjë për të nisur procedim penal ndaj meje. Dhe kur është kështu, siç thotë prokuroria e Catania-s, se nuk është hetuar kurrë ndaj meje deri më sot, si ka mundësi që prokuroria jonë, brenda 48 orëve, me letra të bëra publike nëpër media, kërkoi dhe kërkon arrestimin tim”, u shpreh zoti Tahiri

Por për Partinë Demokratike, dokumenti i paraqitur sot nga ish ministri I Brendshëm “mund të tundet për militantët e oborrit por për askënd tjetër. Prokuroria e Katanias, ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali. Prokuroria e Katanias, nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë Ministrin në Tiranë, që mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës. Kjo është detyrë e prokurorisë shqiptare”, tha Enkelejd Alibeaj, deputet i Partisë Demokratike.

Nesër parlamenti do të votojë për kërkesën e prokurorisë për arrestimin e zotit Tahiri, kërkesë e cila siç ka paralajmëruar shumica do të refuzohet, pasi sipas saj nuk është e mbështetur në prova. Kryeprokurori Llalla tha se institucioni që ai drejton do të vazhdojë procedurat dhe se prokurorët kanë mbështetjen e tij. Vetë zoti Tahiri nga ana e tij njoftoi se përmes avokatëve ka kërkuar nga prokuroria të merret në pyetje sa më shpejt në mënyrë që çështja të mos zvarritet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG