Zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia u takuan për të diskutuar lidhur me kërcënimet që paraqet programi bërthamor i Koresë së Veriut.
Shefi i shtatmadhorisë amerikane gjenerali Joseph Dunford priti dje në selinë e Komandës amerikane të Paqësorit në Havai homologët e tij, gjeneralin Kyeong-doo Jeong të Koresë së Jugut dhe admiralin japonez Katsutoshi Kawano.
Në një deklaratë të zyrës së shtypit të shefit të Shtatmadhorisë amerikane thuhej se tre zyrtarët i kërkojnë Koresë së Veriut të heqë dorë nga provokimet e papërgjegjshme që përkeqësojnë tensionet rajonale dhe të largohet nga rruga shkatërruese dhe veprimet e pamatura.
Në takim u diskutua gjithashtu lidhur me nismat shumëpalëshe dhe tripalëshe për të nxitur paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Azinë verilindore si dhe për të përmirësuar ndërveprimin për një numër çështjesh, përfshirë sigurinë e ndërsjelltë, ndihmën humanitare, lehtësimin e fatkeqësive dhe luftën ndaj krimit kibernetik.
Sot ministria e jashtme e Koresë së Jugut njoftoi se përfaqësuesi i saj në bisedimet gjashtë palëshe për dhënien fund të programeve bërthamore, do të takohet të martën me homologun e tij kinez në Pekin për të biseduar lidhur me çështjen e Koresë së Veriut.
Facebook Forum