Lidhje

Nis zyrtarisht rivlerësimi për gjykatës e prokurorë

  • Armand Mero

Në Shqipëri një ceremoni e organizuar në godinën ku do të punojnë institucionet e ngarkuara për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve shënoi sot zyrtarisht nisjen e këtij procesi. Kryetarja e Kolegjit të Apelit, Natasha Mulaj, tha se se ky proces i vështirë synon t’i rikthejë qytetarëve besimin te Drejtësia duke e pastruar atë nga elementët e korruptuar. Ndërsa ambasadorët e Bashkimit europian dhe Shteteve të Bashkuara folën për një ditë të rëndësishme dhe shprese për Shqipërinë. Po sot Gjykata kushtetuese rrëzoi ankimimin e dy shoqatave të gjyqtarëve, të cilat mes të tjerave kundërshtonin dhe disa nene të ligjit për rivlerësimin.

Pas një periudhe të gjatë me shumë pengesa, që nga miratimi në parlament e më pas shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, sot procesi i rivlerësimit të mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të konsiderohet zyrtarisht i nisur. Në një ceremoni në godinën ku do të punojnë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelit dhe dy Komisionerët publikë dhe vartësit e tyre, institucionet e ngarkuara për të cuar përpara këtë proces, kryetarja e Kolegjit të Apelit Natasha Mulaj tha se detyra e tyre është që të rikthejnë besimin e humbur të Drejtësia: "Jemi këtu për të krijuar të gjithë mekanizmin e domosdoshëm, për të provuar të kundërtën, për të provuar se shumë shpejt, pasi sistemi të filtrohet dhe pastrohet nga individët që e kanë shfrytëzuar atë babëzisht, të gjykojnë thjesht, t’i japin të drejtën atij që e meriton, për të bërë një ndryshim epokal, që nuk është i lehtë, por shumë i vështirë. Ne thjesht dhe vetëm duhet të bëjmë detyrën tonë, përpara vetes, përpara kolegëve, në emër të shoqërisë, të Shqipërisë së drejtë e të ndershme. Ne duhet të bëjëm drejtësi edhe sikur qiejt të përmbysen”, u shpreh zonja Mulaj duke cituar një proverb latin.

Procesi i rivlerësimit konsiderohet si elementi kyç i të gjithë reformës dhe nga i cili varet dhe ngritja e institucioneve të tjera, në veçanti i Gjykatës dhe Prokurorisë së posaçme antikorrupsion si dhe i Byrosë kombëtare të hetimeve. Të parët që do të filtrohen janë anëtarët e gjykatës Kushtetuese, më pas të Gjtykatës së lartë dhe Prourorisë së Përgjithshme. Verifikimi parashikon përveçse një vlerësim të përgatitjes profesionale edhe kontroll mbi pasuritë e tyre, apo lidhjet e mundshme me element të botës së krimit. I gjithë procesi nga institucionet shqiptare do të mbikqyret dhe nga ekspertë ndërkombëtarë

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin dhe ai i Shteteve të Bashkuara Donald Lu, dy njerëzit që kanë mbështetur në mënyrë direkte procesin, dhe u angazhuan personalisht për kapërcimin e pengesave që ka hasur, folën sot fare shkurt. "Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që sot, ky process nis zyrtarisht. Eshtë një ditë e rëndësishme për secilindo në Shqipëri”, deklaroi zonja Vlahutin. Nga ana e tj, ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh se “sot është një ditë shprese për Shqipërinë”

Ceremonia e sotme koinçidoi me një tjetër vendim të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi si të pambështetura kërkesat e dy shoqatave të gjyqtarëve, të cilët kundërshtonin 25 nene të tre ligjeve të Paketës së Refromës në Drejtësi, mes të cilave dhe disa nene të ligjit për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG