Lidhje

Hetimi për Rusinë merr një drejtim dramatik

  • Jim Malone

Hetimi i prokurorit të posaçëm lidhur me mundësinë e bashkëpunimit mes fushatës presidenciale të vitit 2016 të Presidentit Donald Trump dhe Rusisë mori nuanca dramatike dje, me ngritjen e akuzave ndaj dy ish zyrtarëve të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort dhe Rick Gates. Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po ashtu bëri të ditur se ish-ndihmësi i fushatës së zotit Trump, George Papadopoulos, kishte pranuar fajësinë ndaj akuzave se e kishte gënjyer FBI-në lidhur me hetimin për çështjen e Rusisë.

Ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort, u paraqit dje në një zyrë të FBI-së në Uashington dhe më vonë tha se ishte i pafajshëm në gjykatën federale, ashtu sikurse edhe ish-ndihmësi i tij, Rick Gates.

Të dy ata përballen me akuzat për komplot, deklarata të rreme, dhe pastrim parash lidhur me përpjekjet e tyre të lobimit në favor të Ukrainës.

Këshilltari i posaçëm Robert Mueller, po ashtu bëri të ditur se ish-ndihmësi i fushatës së zotit Trump George Papadopoulos kishte pranuar në fillim të muajit, se i kishte gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me kontaktet me rusët, me qëllimin për të siguruar prej tyre infromacione të dëmshme për rivalen e zotit Trump, Hillary Clinton.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se

Papadopoulos nuk ishte një person me peshë në fushatën e zotit Trump:

“Ai ishte vetëm një vullnetar i fushatës, me kontribut të kufizuar; nuk pati asnjë aktivitet në kapacitet zyrtar.”

Presidenti Trump reagoi ndaj lajmit me një tweet, ku shkruante “asnjë marrëveshje e fshehtë!”.

Më vonë, avokati i zotit Manafort, Kevin Downing, foli me gazetarët jashtë gjykatës:

“Nuk ka fakte që zoti Manafort, apo fushata e zotit Trump të ketë bashkëpunuar me qeverinë ruse”.

Manafort ishte menaxheri i fushatës së zotit Trump gjatë kuvendit republikan të vitit të kaluar:

“Ne duam që Amerika ta kuptojë kush është Donald Trump si njeri, jo vetëm si kandidat.”

…Por ai u pushua nga kjo detyrë në gusht të vitit të kaluar.

Akuzat që u bënë të njohura dje janë hapat e parë të rëndësishëm të zotit Mueller, pas emërimit të tij si prokuror i posaçëm në muajin maj, për të zhvilluar hetime ndaj akuzave për bashkëpunim mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

Pranimi i fajit nga Papadopoulos mund të jetë një pikë kthese, thotë Greta Van Susteren, eksperte ligjore dhe bashkëpunëtore e Zërit të Amerikës.


“Ky është një shteg që çon tek fushata e zotit Trump. Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për një akt penal, apo jo. Por është hera e parë që shohim një lloj procedure zyrtare që e lidh një punonjës të fushatës presidenciale me çështjen ruse.” – tha zonja Van Susteren.

Ndërsa hetimi i zotit Mueller hyn në një fazë të re, për Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin ky proces përbën një kokëçarje të madhe politike, thotë zonja Van Susteren.

“Patjetër, që kjo është çështje politike që nuk dimë ku do na çojë. Ndoshta pas Papadopulos nuk do të ketë ish-zyrtarë të tjerë të fushatës që pranojnë fajësinp, por mund të jetë edhe maja e ajzbergut për çështje të tjera. Këtë nuk e dimë,”- tha ajo.

Mueller u emërua prokuror special pas vendimit të Presidentit Trump për të pushuar nga puna Drejtorin e FBI-së James Comey.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG