Komisioni Europian dhe autoritetet shqiptare zhvilluan sot në Tiranë Ditët e Medias në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Edi Rama kritikoi sërish mediat për “mungesë përgjegjësie” dhe “gjuhë urrejtje”.
Por përfaqësues të shtypit vendas pohojnë se akuzat e kryeministrit nuk ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes, dhe secili pushtet duhet të kryejë detyrat e veta.
Komisioni Europian dhe autoritetet shqiptare zhvilluan sot në Tiranë Ditët e Medias në Ballkanin Perëndimor.
Komisioneri Johannes Hann tha se “liria e shprehjes është një vlerë themelore e Bashkimit Europian dhe është një kusht i pandërmjetësueshëm për çdo vend kandidat në rrugën e integrimit në BE”.
Sipas tij, raportimi i lirë dhe i pavarur është thelbësor për të ndërtuar demokracinë, qeverisjen e mirë dhe për dialogun mbi reformat.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, tha se “mediat shqiptare shkelin të drejtat e njeriut, shfaqin një gjuhë të shfrenuar urrejtjeje, duke shigjetuar zyrtarët pa fakte dhe pa përgjegjësi”.
Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa thotë se “kryeministri Rama është në konflikt interesi si një zyrtar që nuk u përgjigjet mediave për mos zbatimin e ligjeve dhe mos ndëshkimin e shkelësve, por zgjedh të akuzojë mediat mbi shkrimet për keq-qeverisjen”.
Zoti Çipa thotë se gjendja e mediave shqiptare është vërtet e rëndë dhe se informaliteti në media është detyrë e pakryer e qeverisë dhe parlamentit.
Lidhur me kritikat që u vijnë mediave nga kryeministri Rama gazetari e analisti me përvojë Lutfi Dervishi thotë se gjendja e medias shqiptare po përkeqësohet në vazhdimësi, megjithë përpjekjet e Komisionit Europian për të mbështetur lirinë e medias, duke e vendosur si një nga kriteret e BE-së për antarësim.
Ai theksoi se nuk është në tagrin e zotit Rama të sulmojë mediat, sepse ato janë më mirë se pushtetet e tjera.
Përfaqësues të shtypit shqiptar shprehen skeptikë edhe për mënyrat se institucionet europiane po mundohen të ndihmojnë mediat shqiptarë, duke kërkuar forma dhe qasje të reja me frytdhënëse në dobi të tyre.
Studiuesit e kësaj fushe pohojnë se media vërtet ka probleme me përgjegjshmërinë, saktësinë, propagandën dhe lajmet e rreme, por kryeministri Rama, që i thotë këto kritika nuk është pjesëtar i komunitetit, por një zyrtar, i cili është apo duhet të jetë nën mbikëqyrjen e medias.
Ata theksojnë se teprimet e medias janë cmimi që paguan një shoqëri për të qenë demokratike, por në të kundërt, shterimi i medias dhe goditja e saj nga autoritetet sjell autoritarizmin.
Facebook Forum