Lidhje

Francë, një monument i thjeshtë nderon ushtarët e harruar


Sot mbushen 99 vjet që nga Dita e Armëpushimit, që shënoi përfundimin e Luftës I Parë Botërore. Në Evropë, në Shtetet e Bashkuara e Kanada, e deri në Australi e Zelandën e Re, sot kujtohen të vrarët në këtë luftë të përgjakshme. Mbi 4.7 milionë ushtarë amerikanë u mobilizuan në këtë konflikt, më shumë se 110 mijë prej tyre gjetën vdekjen. Sot do t’ju njohim me një regjiment ushtarësh amerikanë që dëshmuan një guxim të rallë në betejë, megjithëse kontributi i tyre është thuajse i panjohur për bashkëkombasit e tyre.

Një shkëmb i vogël graniti, i dëmtuar dhe i ngrënë nga koha mbart emrat e ushtarëve të regjimentit 371. Shkëmbi, i vënë në një fushë të harruar në Francën lindore, është i vetmi monument që ekziston në Francë dedikuar regjimentit me ushtarë afrikano-amerikanë që duruan racizën në atdheun e tyre dhe në ushtri, por arritën të bëhen njësia më e dekoruar afrikano-amerikane.

Tani, 99 vjet pas përfundimit të Luftës I Botërore, entuziastë të historisë kërkojnë që kontributi i kësaj njësie ushtarake amerikane të nderohet.

Regjimenti 371 përbëhej tërësisht nga djem nga familje të varfra fermere nga Karolina e Jugut, në një Amerikë të ndarë në vija racore, në një ushtri po ashtu të ndarë në bazë race. Si rezultat trimëria dhe sakrifica e tyre nuk gjetën nderimin që u takonte.

Gerald Torrence është shkrimtar:

"Këta të rinj afrikano-amerikanë në fillim të viteve 1900 viktimizoheshin nga racizmi në vendlindje, po ashtu edhe në ushtri, por në mendjen e tyre nuk e ndjenin veten viktima”.

Reshteri Burton Holmes ishte në të njëzetat më 28 shtator, 1918, kur u plagos rëndë dhe arma iu dëmtua në betejë në lindje të Francës. Ai ishte nën sulmin e mitrolozëve gjermanë, megjithatë u kthye në bazë, mori një pushkë tjetër dhe u vu në krye të trupave për kundërsulm, para se të vritej.

Ai u propozua për Medaljen e Nderit, por iu dha një medalje e rangut më të ulët, për shkak të racës. Një tjetër reshter, Freddie Stowers, po ashtu ishte propozuar për Medalje Nderi, por dokumentacioni ishte harruar për dekada dhe ai u nderua më së fundmi në 1991, kur kishin kaluar 73 vjet nga vdekja e tij. Rasti i Freddie Stower e bën të nevojshëm rishikimin e medaljes edhe për reshterin Holmes, thonë organizatat e veteranëve.

"Faktet flasin për një racizëm të hapur në ushtrinë amerikane gjatë Luftës I Botërore. Kemi dokumentacion të qartë nga rasti i Freddie Stowers mbi kushtet që duhen përmbushur për të marrë Medaljen e Nderit. Besoj se Burton Holmes përmbush të njëjtat kritere. Ushtria amerikane duhet të na thotë përse nuk i jep atij Medaljen e Nderit,” thotë fotografi Jeff Gusky.

Rob Dalessandro, shkrimtar dhe aktivist, thotë se ka ardhur koha që kombi amerikan të nderojë këta heronj:

"Kontributi i këtyre ushtarëve është përgjithësisht i panjohur, pasi në kushtet e një racizmi tepër të fortë, sjellja e tyre në luftë mbeti viktimë e atij mentaliteti. Ne duam të ndërgjegjësojmë popullatën amerikane për këta heronj”.

Shumë amerikanë mund të mos e dinë kontributin e regjimentit 371, por në këtë fshat të vogël në Francën lindore, me një popullsi prej 84 banorësh, sakrifica e tyre nuk është harruar.

Frank Lesjean kthehet nga puna dhe përshkon fushën për t’u kujdesur për monumentin.

"Duke restauruar monumentin, ndihmoj që kujtimi i tyre të jetojë, përndryshe ata do të harroheshin fare,”

Çdo vit të paktën një apo dy vizitorë ndalen në zyrat e fshatit për të kërkuar koordinatat e monumentit. Është një copë e thjeshtë graniti, e ngritur pak pas përfundimit të luftës, blerë me fondet e vetë ushtarëve të mbijetuar që dhanë secili nga një dollar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG