Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mbështeste nismën e grupit parlamentar të PS-së për të shkarkuar nga detyra kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri, i cili ka marrë në mbrojtje kryetarin e bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, një zyrtar i dënuar në Itali.
Zoti Rama tha se zoti Kapllanaj është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ekspertët e qeverisë po studiojnë mundësinë e shkarkimit të tij.
Sipas tij, Kapllanaj ka kryer disa vepra penale në Itali dhe është dënuar nga gjykatat italiane dhe atyre nuk u shmanget dot as duke qenë antar i Partisë Demokratike të opozitës.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur një relacion, ku theksohet fakti që kryetari i KQZ-së, Zguri, nuk ka thirrur një mbledhje të këtij institucioni, në një përpjekje individuale për të mbrojtur kryebashkiakun e Mallakastrës.
Deputetët socialistë kërkuan largimin nga detyra të zotit Zguri për shkeljen e rëndë, që sipas tyre, i ka bërë ligjit për dekriminalizimin.
Kryetari i KQZ-së, Zguri, tha sot para mediave, se ai nuk mund të komentonte deklarata politike dhe se për vendimet e KQZ-së nuk ka patur asnjë ankesë.
Zoti Zguri ishte antar i KQZ-së dhe falë një marrëveshje PS-PD ai ndërroi vendet me kryetarin e mëparshëm të komisionit Denar Biba.
Opozita ende nuk ka bërë ndonjë koment për këtë temë, por ajo ka qenë nismëtarja e ligjit të dekriminalizimit dhe ka këmbëngulur fort në zbatimin e tij.
Facebook Forum