Lidhje

Sessions shqyrton mundësinë e një hetimi mbi Hillary Clinton-in


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions po dëshmon para Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet të përballet me pyetje në lidhje me urdhërin që u ka dhënë prokurorëve të lartë federalë për të për të parë nëse është me vend të hapen hetime për një numër çështjesh të ngritura nga ligjvënësit republikanë.

Kryetari i Komisionit, Robert Goodlatte i kërkoi zotit Sessions në korrik dhe shtator që të caktojë një hetues të posaçëm për të shqyrtuar akuzat për bashkëpunim mes fushatës së zonjës Hillary Clinton dhe Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate. Çështje të tjera që ata kanë kërkuar të hetohen janë edhe përdorimi prej saj i një serveri privat emaili në kohën kur ajo ishte Sekretare e Shtetit, Fondacionin Clinton dhe blerja e minierave të uraniumit amerikan nga një kompani e mbështetur nga Rusia.

Në letrën që ligjvënësi Goodlatte i kishte dërguar Prokurorit Sessions, kërkohej gjithashtu shqyrtimi i disa aspekteve të hetimit nga FBI-ja të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Stephen Boyd u përgjigj në një letër të hënën ku thoshte se Sessions u ka kërkua prokurorëve të merren me vlerësimin e "çështjeve të caktuara" të ngritura nga ligjvënësi Goodlatte.

Zoti Boyd tha se prokurorët do të raportojnë drejtpërdrejt tek Prokurori i Përgjithshëm Sessions dhe Zëvendësi i tij Rod Rosenstein "sipas nevojës" dhe do të japin rekomandimet e tyre nëse duhet të hapen apo të zgjerohen hetimet. Ai më tutje u zotua se Departamenti i Drejtësisë "nuk do të vlerësojë asnjë çështje që nuk bazohet në fakte dhe në ligje".

Presidenti Donald Trump ka kritikuar ashpër një hetim nga ish-shefi i FBI-së Robert Mueller rreth rolit të Rusisë në zgjedhjet dhe rreth bashkëpunimit të mundshëm të saj me fushatën e zotit Trump. Agjencitë amerikane të zbulimit në një raport të pulikuar në janar të këtij viti dolën në përfundimin se Rusia drejtoi një përpjekje për të ndihmuar shanset e zotit Trump për të fituar zgjedhjet.

Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për më shumë hetim nga forcat amerikane të zbatimit të ligjit mbi veprimet e zonjës Clinton.

"Të gjithë po pyesin pse Departamenti i Drejtësisë (dhe FBI) nuk po shqyrton të gjitha pandershmërinë që po ndodhin me Hillary-n dhe demokratët ... '' Presidenti Trump tha një një postim muajin e kaluar në Twitter.

Komentet e presidentit dhe lëvizja nga Prokurori Sessions shkaktuan ankesa nga demokratët rreth ndërhyrjes së ekzekutivit tek gjyqësori.

"Nëse Prokurori i Përgjithshëm dorëzohet para presionit të Presidentit Trump dhe aleatëve të tij, dhe emëron një Prokuror të Posaçëm për të hetuar rivalin e mundur të zotit Trump, kjo do të mund ti jepte fund pavarësisë së institucionit të Departamentit të Drejtësisë", tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff në një postim në Twitter.

Ligjvënësi Gregory Meeks tha se veprimet e avokatit të përgjithshëm ishin një përpjekje për të hequr vëmendjen nga hetimi mbi bashkëpunimin e mundshëm me fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

Ligjvënësi Andy Biggs, i cili ishte një nga republikanët që nënshkruajti letrën e ligjvënësit Goodlatte, tha se përgjigja e Departamentit të Drejtësisë është "inkurajuese", por jo aq vendimtare sa do të kishin dashur ligjvënësit.

"Ne duhet të kemi një Prokuror të paanshëm dhe pavarur për të hetuar çështjet që kemi ngritur. Ne kemi shpenzuar mjaft kohë për vlerësime të pakuptimta dhe premtime boshe," tha ligjvënësi Biggs në një deklaratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG