Lidhje

Përpjekjet e Presidentit Trump për reformimin e sistemit të taksave


Presidenti Donald Trump takohet sot në Capitol Hill me senatorë republikanë. Këtë javë është planifikuar që të votohet në Senat një projektligj që synon të reformojë sistemin e taksave të Shteteve të Bashkuara.

Para takimit Presidenti u shpreh optimist për shanset e miratimit të projektligjit në Senat.

“Mendoj se do të pritet shumë mirë. Senatorët republikanë ishin në favor dhe nëse fitojmë, do të na bashkohen edhe disa senatorë demokratë. Kuptohet, vetëm nëse ia dalim mbanë”, tha Presidenti Trump.

Pas takimit të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, senatorët republikanë konfirmuan se synojnë të votojnë në favor të planit të ri të taksave që synon uljen e taksave për korporatat dhe ato mbi të ardhurat. Plani i ri pritet të shtojë me mbi 1 trilionë dollarë borxhin kombëtar të Amerikës.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi këtë muaj një variant të ndryshëm të reformës së taksave. Nëse miratohet projektligji i Senatit, dy variantet duhet të harmonizohen në një ligj të vetëm , i cili do të duhet të votohet sërish në të dyja dhomat e Kongresit, përpara se Presidenti ta nënshkruajë hyrjen e tij në fuqi.

Ndërkohë, demokratët po punojnë me këmbëngulje për ta kundërshtuar këtë iniciativë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG