Lidhje

Zbutet moti, problem dalja e Vjosës nga shtrati


Gjatë paradites së sotme, kanë rreshtuar rreshjet e dendura të shiut që goditën vendin që prej të enjtes në mbrëmje, por situata mbetet veçanërisht e rënduar në pellgun e lumit Vjosë, sidomos në Vlorë dhe Fier. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka njoftuar se përgjatë natës “strukturat shtetërore kanë punuar pa ndërprerje. Forcat në terren kanë vijuar evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, edhe pse në disa raste ka pasur rezistencë nga qytetarë të veçantë. Gjatë natës në kushte ekstreme janë zhvilluar me sukses disa operacione të kërkim-shpëtimit. Në zonat e rrezikuara janë larguar dhe shumë krerë bagëti nga rreziku”.

Si pasojë e rreshjeve ka patur prurje masive të lumenjve duke mbuluar sipërfaqe të shumta toke dhe zona të banuara. Autoritetet njoftuan se “Vjosa ka çarë argjinaturën në afërsi të urës së Mifolit dhe ka vërshuar drejt fshatrave Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull. Në këtë zonë ka prani uji në 300 banesa dhe 1,000 ha tokë, si dhe janë përmbytur 310 ha të tjerë. Për përballimin e gjendjes janë angazhuar 710 forca dhe 152 mjete”. Në disa zona të tjera që u goditën gjatë ditës së djeshme, si në Fushë-Krujë banorët janë angazhuar menjëherë në eleminimin e dëmve.

Sa i përket akseve rrugore ato janë mbajtur të lira. Vështirësi, supas autoriteteve "paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë, ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë, ndërsa në akse të tjera po punohet për eliminimin e rrëshqitjeve të dherave”.

Ndërkohë vazhdojnë problemet me energjinë në disa zona. Deri në mesditë llogariteshin pa energji 45 mijë abonentë, ndërsa nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG