Lidhje

Zbutet moti, problem dalja e Vjosës nga shtrati


Në Shqipëri gjendja e motit pati përmirësime gjatë paradites së sotme, ndërsa rreshjet rifilluan pasdite dhe pritet të vijojnë dhe gjatë natës. Situata paraqitet problematike veçanërisht në zonat e Fierit dhe të Vlorës për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë. Janë mijëra hektarë sipërfaqe dhe disa qindra banesa të cilat janë përmbytur. Autoritetet kanë vijuar operacionet e evakuimit dhe të shpëtimit të banorëve që kanë qenë në rrezik. Sipas parashikimeve situate pritet të kthehet në normalitet gjatë ditës së hënë.

Situata e përmbytjeve për shkak të motit të keq
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Nata e mbrëmshme ka qenë e vështirë për shumë banorë që u prekën nga rreshjet e dendura të nisura mbrëmjen e së enjtes. Strukturat e ushtrisë, policisë dhe emergjencave civile punuan për evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, edhe pse në disa raste ka pasur rezistencë nga qytetarë të veçantë. Sipas autoriteteteve, gjatë natës në kushte ekstreme janë zhvilluar me sukses disa operacione të kërkim-shpëtimit.

Zbutja e kushteve të motit gjatë ditës së sotme duket se i dha një frymëmarrje banorëve të zonave të ndryshme, si në Krujë, Fushë Krujë apo Berat e Korçë, ndërsa strukturat shtetërore nisën ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve.

Por e njejta gjë nuk mund të thuhet për zonën e Fierit dhe Vlorës, pavarësisht përmirësimit të motit gjatë paradites. Vjosa çau argjinaturën në afërsi të urës së Mifolit duke vërshuar drejt fshatrave Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull, ku kulmet e shtëpive të mbetura mbi ujë janë të vetmet dëshmi se bëhet fjalë për zona të banuara. Nga llogaritjet e fundit hidrologjike rezulton se, në pjesët fushore do të vazhdojë përmbytja me prurje shumë të larta nga lumi Vjosa i cili do të fillojë të tërhiqet në shtratin e tij natyral përgjatë fundit të ditës së hënë. Shirat rinisën pasdite e do të vijojnë edhe nesër, por sipas parashikimeve pritet të jenë mesatare deri lokalisht intensive.

Sipas të dhënave të fundit mbi dëmet e shkaktuara nga moti i keq në total janë 3193 banesa të përmbytura, dhe 40 biznese, ndërsa sipërfaqja nën ujë llogaritet në mbi 7800 hektarë. Mbi 500 familje ose afërsisht 1600 persona janë evakuuar. Dëme kanë pësuar dhe 49 shkolla, ndërsa janë shkatërruar në të gjithë vendin 13 ura.

Sa i përket akseve rrugore ato janë mbajtur të lira. “Vështirësi paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë, ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë, ndërsa në akse të tjera po punohet për eliminimin e rrëshqitjeve të dherave”, njoftuan gjatë ditës autoritetet.

Ndërkohë vazhdojnë problemet me energjinë në disa zona. Deri në mesditë llogariteshin pa energji 45 mijë abonentë, ndërsa nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot gjatë ditës në zonat e Fierit dhe Vlorës ku është angazhuar dhe numri më i madh i forcave të ushtrisë apo dhe policisë. Gjithashtu në zonat e prekura, përveç përfaqësuesve qeveritarë kanë qenë dhe deputetë e drejtuesë të opozitës.

Në zonat veriore të vendit kanë nisur rreshjet e dëborës, por deri pasdite vonë nuk janë shënuar situata problematike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG