Lidhje

Epidemia e opioidëve në Filadelfia


Në lagjen Kensington të Filadelfias, anëtarja e këshillit Maria Sanchez po përpiqet të shpëtojë komunitetin e saj nga opioidët dhe heroina.

"Kemi 1200 mjekë në këtë lagje që mbushin receta me opioidë dhe ky është problem. Është diçka që ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe tani heroina është aq e fuqishme sa që mund të sjellë një katastrofë.”

Kensington ka një histori të gjatë si epiqendër e heroinës. Tani kanë dalë të ashtuquajturat “klinika të dhimbjes” – ku praktikantë mashtrues japin opioide me shumicë që shiten në tregun e zi. Është një zonë ku njerëzit e varur nga droga shkojnë për t’i përdorur dhe për të blerë.

Patrick Trainor punon për Agjencinë e Luftëa kundër Drogave ((DEA)). Ai thotë se përdoruesit këtu mund të gjejnë heroinën më të lirë të mundshme në vend.

"Ka shumë trafikantë të pavarur drogash. Të gjithë konkurrojnë për të njëjtët klientë dhe kjo është arsyeja që e mban nivelin e pastërtisë së heroinës këtu kaq të lartë."

Të varurit nga droga vijnë në Kensington nga distanca të largëta. Me pak para dhe me mbingarkesën e varësisë, disa qëndrojnë këtu. Sarah, që nuk e thotë mbiemrin e saj, është një prej tyre.

"Diçka më thërret të kthehem këtu. Mendja më thotë të kthehem këtu. Nuk dua dhe qaj vazhdimisht. Kam një ndjenjë faji që vjen për shkak të përdorimit të opioidëve. Ndjenja e fajit të bën ta përdorësh drogën përsëri për të harruar."

"Filadelfia është vetëm një mikrokozmos i një problemi shumë më të madh."

Gary Tuggle, që drejton divizionin e Agjencisë për Luftën kundër Drogave në Filadelfia, thotë se përveç trafikantëve të heroinës ata po arrestojnë mjekë të paskrupullt që japin receta me opioide.

"Këta janë praktikantë, mjekë, farmacistë që kanë synimin e vetëm - të bëjnë para. Këta janë ata që duam t’i ndjekim penalisht, dhe jo vetëm t’u heqim liçencën, por t’i fusim në burg.”

Thomas Farley është komisioner për shëndetësinë në Filadelfia.

"Këtë vit mund të kemi më shumë se 1200 vdekje. Problemi jo vetëm që nuk po ngadalësohet, por po përshpejtohet”, thotë Thomas Farley, komisioner për shëndetësinë në Filadelfia.

Varësit nga opioidet që jetojnë në rrugë si Anthony, po mundohen të gjejnë ndihmë.

"Shkon në programe për drogën dhe 70 përqind e njerëzve aty nuk kanë probleme të drogës. Ata janë aty pasi nuk kanë strehim, nuk kanë ku të jetojnë dhe duan një vend për të kaluar dimrin. Pra njerëzit që kanë nevojë për trajtim për drogën mbeten në rrugë. Kam dy muaj që shkoj përditë në një qendër këtu për të kërkuar ndihmë."

"Nuk ka vend. Nuk ka shtretër bosh dhe çdo ditë marr të njëjtën përgjigje", thotë përdoruesi Anthony.

"Për t’u përmirësuar, kam nevojë për trajtim intensiv. Por kjo nuk të ofrohet kur je në këtë pozitë. Merr vetëm trajtimin minimal. Vërtetë nuk i duan varësit nga droga", thotë Sarah.

"Kur njerëzit fillojnë të përdorin drogën kërkojnë gjithmonë të jenë nën influencën e saj. Për disa kjo do të thotë 10, 12, 15 doza në ditë. Pra ata nuk janë gati të fillojnë trajtimin. Kur shkojnë janë gati për trajtim, ata kanë nevojë për mbështetjen e familjes", thotë Maria Quinones-Sanchez.

Pa mundësi të tjera trajtimi në Kensington, varësit e drogave të kësaj lagjeje ecin në një rrugë të rrezikshme që do të çojë në më shumë mbidoza dhe më shumë vdekje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG