Lidhje

Rritja e çmimit në parqet kombëtare amerikane


Vitin e kaluar, Parqet Kombëtare të Amerikës shënuan një rekord: 330 milionë vizitorë për të parë peisazhet spektakolare dhe mrekullitë natyrore. Për më tepër se një shekull, parqet janë mirëmbajtur nga qeveria federale përmes subvencioneve, dhe përmes biletave me çmime relativisht të ulëta për disa parqe.

Por duke filluar nga viti i ardhshëm kjo mund të marrë fund, kur Shërbimi Kombëtar i Parqeve pritet të propozojë më tepër se dyfishimin e kostos për hyrjen në parqet më të njohura në periudhat më të vizituara të vitit. Një nga këto parqe është Parku Kombëtar i Maleve Shkëmbore "Rocky Mountain" në Kolorado. Siç do të shohim në materialin në vazhdim, njerëzit kanë mendime të ndryshme për rritjen e biletave për hyrjen në park.

Turizmi është jetik për qytezën Estes Park në Kolorado. Atraksioni turistik që sjell vizitorët në këtë qytet është Parku “Rocky Mountain” ku mund të gjesh zbavitje nga më të ndryshmet: që nga kafshët e egra, tek sportet e të gjitha stinëve, deri tek pamjet spektakolare.

Kundrejt një pagese prej 30 dollarësh, një makinë e mbushur me turistë mund të shijojë bukuritë e parkut për një javë. Shumë njerëz paguajnë biletën e hyrjes vetëm për një pasdite, si ky vizitor nga Pueblo, i Kolorados.

“Sapo erdhëm, themi ta vizitojmë për pak kohë parkun."- thotë ai.

Ai thotë se plani për dyfishimin e biletës, në 70 dollarë për makinë, është shumë…

Kjo është e shtrenjë. Të njijtin mendim ka edhe një çift nga Hjustoni i Teksasit.

"Unë do të thoja se bileta nuk duhet të shkojë më se 40, ose 50 dollarë,” thotë gruaja.

“Më shumë se aq do të largonte nga parku,” thotë burri.

Por ajo që i frikëson zyrtarët e parkut është mundësia e pakësimit të buxhetit. Vitin e ardhshëm, fondet federale për parqet pritet të pakësohen 10 për qind, ose 300 milionë dollarë më pak. Plani për rritjen e biletës së hyrjes në 17 nga parqet kombëtare më popullore nuk do ta zëvendësojë humbjen e fondeve federale, por mund të shtojë të ardhurat nga biletat me 70 milionë dollarë në vit. Shërbimi i parqeve njofton se këto fonde do të mbulojnë riparimet prej 11 miliardë dollarësh, të cilat duhet të ishin bërë.

Në qytezën Estes Park, pronares së një dyqani brenda parkut, i pëlqen plani për rritjen e çmimit të biletës:

“Pra, për një çmim prej 70 dollarësh mund të fusësh në park një makinë të mbushur plot me vizitorë? Unë mendoj se njerëzit do të jenë të gatshëm ta paguajnë këtë çmim." - thotë ajo.

Richard Mazza, pronar kafeneje, mendon se rritja e çmimit të biletës mund të jetë një mënyrë për të eliminuar mbipopullimin e parqeve.

“Le të marrim Disney World. Bileta e hyrjes atje u rrit para një viti në 100 dollarë. Mendoj se kjo u bë si një mekanizëm për të pakësuar numrin e njerëzve, në mënyrë që vizitorët të kenë një përvojë më të këndshme. Numri i vizitorëve në Rocky Mountain në vite, po kap shifrën e 5 milionë vetëve. Kaq shumë njerëz e dëmtojnë parkun."- thotë ai.

Por vizitorët e parkut që e duan shumë natyrën, kanë frikë se kombinimi i shkurtimeve federale dhe rritja e çmimit të biletave kanë për ta dëmtuar parkun.

“Parqet kombëtare janë shpirti i vendit tonë. Kjo më bën të qaj”.

Një çift nga Pensilvania janë më optimistë - të paktën për veten e tyre.

“Unë jam i gatshëm të paguaj që të shijoj panoramën dhe natyrën,” thotë burri.

“Unë e shoh ndryshe. Kam frikë se çmimi i lartë ka për t’u bërë pengesë për familjet,” thotë gruaja.

Shërbimi Kombëtar i Parqeve ka ftuar amerikanët të komentojnë mbi këtë temë në internet deri në Ditën e Falenderimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG