Lidhje

Trump redukton hapsirat e dy monumenteve në Jutah


Fiset amerikane autoktone thonë se do të padisin menjëherë Presidentin Donald Trump, i cili nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke reduktuar dy hapësirat e monumenteve kombëtare në shtetin e Jutas. Amerikanët autoktonë dhe grupe të tjera, duan që toka të mbetet nën mbrojtjen e qeverisë federale. Por në një fjalim që mbajti dje në qytetin e Salt Lake-ut zoti Trump njoftoi se do të kthejë nën kontrollin e shtetit Juta më shumë se 80 përqind të territorit të quajtur “Bears Ears” dhe rreth gjysmën e tokës “Grand Stairs-Escalante”. Raporti është përgatitur nga Zlatica Hoke.

Mbështetësit e mirëpritën këtë vendim që hap mundësi për eksplorime në fushën e energjisë dhe përdorimin e mjeteve të motorizuara. Por vendimi i paprecedent pritet të përballet me padi ligjore nga ana e kundërshtarëve të tij.

"Ai e tejkaloi autoritetin duke ndryshuar apo amenduar përcaktimin për monumentet kombëtare. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ne nuk do ta lejojmë të ndodhë. Jemi gati për të luftuar, jemi një njerëz të durueshëm, të fortë, që dimë të përballemi me sfida. Me Presidentin Trump do të shihemi në gjykatë", thotë Jonathan Nez, nënkryetar i Navajo Nation (rezervat i amerikanëve autoktonë).

Bears Ears (Veshët e Arinjve), një sipërfaqe prej rreth 530 mijë hektarësh në jug-perëndim të Jutas, u shpall monument kombëtar rreth një vit më parë nga presidenti Barak Obama. Pasardhësi i tij, Donald Trump, e reduktoi madhësinë e monumentit me më shumë se 80 për qind. Krahas saj zoti Trump përgjysmoi dhe sipërfaqen e Monumentit Kombëtar Grand Staircase-Escalante (Shkallët e Mëdha Rrëshqitëse) i shpallur si i tillë nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1996. Përpara një turme të egzaltuar njerëzish në kryeqytetin e Juta-s Zoti Trump tha se po largonte tokën e këtij vendi nga duart e një numri të vogël burokratësh në Uashington.

"Lidhjet tuaja të përjetshme me këtë tokë, nuk duhet të zëvendësohen nga shpikësit e rregullatoreve mijëra e mijëra kilometra larg. Ata nuk e njohin tokën tuaj dhe të jem i siqertë, nuk kujdesen për të sikurse ju”, tha Presidenti Donald Trump.

“Bears Ears” dhe “Grand Staircase-Escalante” u shpallën monumente kombëtare bazuar në Aktit të Antikiteteve të vitit 1906. zoti Trump tha se paraardhësit e tij kanë abuzuar me këtë ligj.

"Ky ligj kërkon të përcaktohen për mbrojtje të veçantë, si monumente kombëtare, vetëm zona të vogla e të nevojshme. Për fat të keq administratat e mëparshme kanë injoruar standardin dhe kanë përdorur ligjin për “të mbyllur” qindra milionë hektarë tokë dhe burimeve ujore, nën kontrollin e rreptë të qeverisë".

Vendimi i pashembullt i zotit Trump pritet të përballet me paditë ligjore të fiseve të amerikanëve autoktonë, të cilët e konsiderojnë monumentin e “Bears Ears-it” si tokën e tyre të shenjtë.

"Po na marrin diçka ku ne besojmë", thotë Marilyn Mustache, anëtar i Navajo Nation (rezervat i amerikanëve autoktonë) në Jutah.

Por sipas disa fermerëve të zonës kufizimet në gjueti, kullotje dhe mundësitë për zhvillim, ndikojnë jetesën e tyre.

"Është shumë e rëndësishme për ne. Ndodhemi këtu prej vitesh dhe kjo është mënyra se si e sigurojmë jetesën”, thotë Tyler Ivins fermer i Jutas.

Më herët gjatë këtij viti Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që urdhëron shqyrtimin e 27 monumenteve të përcaktuara sipas Aktit të Antikiteteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG