Lidhje

Trump bën të qarta planet për të shpallur Jeruzalemin, kryeqytet të Izraelit


Presidenti Donald Trump po telefonon disa udhëheqës të Lindjes së Mesme përpara një njoftimi të pritshëm sot se Shtetet e Bashkuara do të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se presidenti Trump foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, me kreun palestinez Mahmud Abbas dhe me mbretin Abdullah të Jordanisë në mëngjes dhe do të telefononte udhëheqës të tjerë rajonalë më vonë gjatë ditës.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë për thelbin e bisedave, por shtypi palestinez njoftoi se presidenti Trump i kishte konfirmuar zotit Abbas se njohja e Jeruzalemit do të ishte e afërt.

Shtetet arabe dhe muslimane kanë paralajmëruar se një deklaratë e tillë mund të shkatërrojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje paqësore arabo-izraelite. Udhëheqësi i lartë palestinez Nabil Shaath tha se presidenti Trump nuk do të shihej më si një ndërmjetës i besueshëm.

"Autoriteti palestinez nuk e pranon dhunën, por mund të mos jetë në gjendje të kontrollojë rrugët dhe të parandalojë një kryengritje të tretë palestineze," - tha zoti Shaath, duke folur në arabisht.

Jeruzalemi qëndron në zemër të konfliktit izraelito-palestinez dhe bashkësia ndërkombëtare thotë se statusi i tij përfundimtar duhet të përcaktohet në negociata. Megjithatë, Presidenti Trump thotë se është i përkushtuar ndaj një premtimi të bërë gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, për ta lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi, një masë që mbështetet nga shumë hebrej amerikanë dhe evangjelistë të krishterë.

Jerusalemi është vendi ku ndodhet xhamia Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë për fenë islame. Për hebrenjtë është mali i Tempullit, vendi më i shenjtë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar të shkëpusë lidhjet me Izraelin, nëse presidenti Trump e njeh Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

"Zoti Trump, Jeruzalemi është një vijë e kuqe për muslimanët", tha Erdogan, duke shtuar se Turqia "mund të shkojë deri në shkëputjen e lidhjeve diplomatike me Izraelin për këtë çështje".

Një ligj i vitit 1995 kërkon zhvendosjen në Jeruzalem të ambasadës amerikane në Izrael, por i njeh Presidentit të drejtën të shtyjë çdo gjashtë muaj vendimin për çështje të sigurisë kombëtare. Çdo president amerikan, që nga koha e presidentit Clinton, e ka përdorur këtë të drejtë, përfshirë presidentin Trump, i cili e bëri këtë qershorin e kaluar.

Në prag të njoftimit të pritur të presidentit Trump, agjencia Reuters citoi zyrtarë të paidentifikuar të Departamentit të Shtetit të kenë shprehur shqetësim për mundësinë e një reagimi të dhunshëm kundër Izraelit, si dhe ndoshta kundër interesave amerikane në rajon.

Ambasadat amerikane në mbarë botën janë urdhëruar të rrisin masat e sigurisë në pritje të protestave të mundshme.

Gerald Feierstein, drejtor për çështjet e Gjirit dhe Marrëdhëniet Qeveritare në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, thotë se niveli i zemërimit që mund të nxisë njoftimi, varet shumë nga ajo që do të thotë presidenti Trump.

"Nëse presidenti thotë vetëm "ne e njohim Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit", pa u përpjekur ta përcaktojë më tej dhe pa filluar vërtet procesin e lëvizjes së ambasadës, atëherë është shumë zhurmë për asgjë", tha ai për Zërin e Amerikës.

Feierstein, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA në Jemen dhe më vonë si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, nën Presidentin Barak Obama, thotë se nëse presidenti Trump shkon më tej, kjo mund të shkaktojë një reagim të ashpër dhe të jetë një goditje dërrmuese në përpjekjet për paqe.

"Nëse ajo që do të thotë është në të vërtetë një njohje e të gjithë Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe nuk i përmbahet më qëndrimit ndërkombëtar që Jeruzalemi duhet të ndahet dhe që Jeruzalemi Lindor të bëhet kryeqyteti i shtetit palestinez pasi të ketë një marrëveshje, atëherë kjo do të ketë një efekt shumë negativ në procesin e paqes", tha zoti Feierstein.

"Pra, djalli është në hollësitë e deklaratës, për të përcaktuar se sa e rëndësishme do të jetë ajo."

XS
SM
MD
LG