Lidhje

Donald Trump Jr nuk u përgjiget pyetjeve të ligjvënësve


Donald Trump Jr, djali i Presidentit, refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve të mërkurën rreth bisedave që kishte patur me babain e tij, në kohën kur ishte kandidat për president, lidhur me takimin e debatueshëm me disa persona rusë në qershor të vitit 2016 në Kullën Trump.

Trump Jr shmangu gazetarët dhe hyri në ndërtesën e Kapitolit përmes një dere të pasme përpara se të ballafaqohej për më shumë se tetë orë me pyetje nga Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Komisioni po heton bashkëpunimin e mundshëm mes fushatës së presidentit Trump dhe Rusisë.

Demokrati i lartë në këtë komision, Adam Schiff nga Kalifornia, tha se Trump Jr. iu përgjigj shumicës së pyetjeve, por përdori të drejtën e privilegjit avokat-klient kur nuk pranoi të komentojë për takimin që kishte me rusët.

Trump Jr tha se kur bisedoi me të atin, në takim ishte i pranishëm një avokat.

Schiff tha se nuk beson se biseda mes të dyve është informacion që duhet të mbetet konfidencial.

Të tjerët në seancën e pyetjeve të së mërkurës thanë se Trump Jr deklaroi se nuk i kujtoheshin gjërat që ligjvërësit donin të dinin, përfshirë detajet rreth takimit me rusët.

Trump Jr u takua me rusët në zyrën e babait të tij në Kullën Trump në qershor të vitit 2016, kur një avokate ruse premtoi informacione rreth rivales Hillary Clinton.

Trump Jr tha se nuk i tregoi të atit për takimin menjëherë kur ndodhi, por foli për të pasi u bënë publike email-at rreth takimit.

Email-at treguan se Trump Jr. kërkoi të shfytëzonte mundësinë që të merrte informacione që inkriminonin zonjën Clinton, duke përfshirë "karakterin dhe kualifikimet" e saj për të qenë presidente. Këto informacione asnjëherë nuk u materializuan.

Kjo ishte hera e dytë që Trump Jr u përball me pyetje nga ligjvënësit për takimin me rusët. Komisioni i Senatit për Drejtësinë e pyeti atë në shtator.

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller besohet të jetë mjaft i interesuar për marrjen në pyetje të zotit Trump Jr. nga Kongresi dhe për takimet me rusët.

Mueller po heton nëse ka patur ndonjë koordinim mes fushatës së zotit Trump dhe Kremlinit gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, të cilat presidenti Trump i fitoi - dhe nëse vetë zoti Trump pengoi drejtësinë kur hoqi ish drejtorin e FBI-së James Comey, i cili gjithashtu po hetonte për një bashkëpunim të mundshëm mes palëve.

Trump i ka etiketuar akuzat me një nga frazat e tij të preferuara - "lajme të rreme". Trump Jr gjithashtu i mohon akuzat.

Moska e ka quajtur hetimin e zotit Mueller "një tymnajë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG