Lidhje

Shqipëri, debate për zëvendësimin e Kryeprokurorit

  • Armand Mero

Në Shqipëri Komisioni i Ligjeve miratoi sot me votat e vetëm përfaqësuesve të së majtës nisjen e procedurave për emërimin e një Prokurori të ri të Përgjithshëm të përkohshëm. Opozita u largua në shenjë proteste pasi sipas saj po shkelej Kushtetuta e cila ja njeh deklarimin e përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit Këshilllit të Lartë të Prokurorisë, organ i cili nuk është ngritur ende. Shumica ju përmbajtj interpretimit të bërë nga ekspertët e EURALIUS-it dhe OPDAT-it sipas të cilit votimi i Kryeprokurorit të përkohshëm bëhet me shumicë të thjeshtë. Ky variant u mbështet sot publikisht dhe nga ambasadori amerikan Donald Lu.

Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve u shoqërua me debate të zjarrta lidhur me procedurën që duhej ndjekur për zëvendësimin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, mandati 5 vjeçar i të cilit përfundon sot. Debatet u ushqyen nga fakti se sipas Reformës në Drejtësi, emërimi i Prokurorit të ri të përgjithshëm duhet të bëhet me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion i cili nuk është ngritur ende. Megjithatë shumica ju referua një neni të ligjit për Prokurorinë sipas të cilit “në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon para kohe, para themelimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të caktohen me vendim të Parlamentit”.

Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, mandati i prokurorit të Përgjithshëm nuk mund të shtyhet, dhe në këto kushte “duke qenë se Prokurori i ri i Përgjithshëm nuk mund të zgidhet në zbatim të plotë dhe të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe të ligjit “Për organizimn dhe funksionimin e Prokurorisë”, përderisa në caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ligji nuk ka parashikuar shumicën e cilësuar, por vendimarrjen e parlamentit përmes shumicës së thjeshtë, është në detyrimin e parlamentit për të përmbushur misionin kushtetutes, që në këtë fazë të përkohshme të caktojë një nga prokurorët më me eksperiencë në kryerjen e funksioneve kalimtare të Prokurorit të Përgjithshëm”.

Opozita e kishte bërë të qartë që më parë pozicionin e saj, duke ju referuar nenit të Kushtetutës sipas së cilit, përfundimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë e për pasojë nuk mund të zbatohej ligji për Prokurorinë dhe neni të cilit i referohej shumica. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar, dhe është premiesa e parë. Premisa e dytë është se Prokurorit të Përgjithshëm t’i ketë mbaruar mandati para kohe. Një gjë është e sigurt, nuk ka mbarim para kohe. Për këtë arsye nuk ka se si të aplikohet neni 109. I mungon njëra këmbë për të qëndruar drejt. Prandaj neni 109 nuk është I aplikueshëm”, u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.

Edhe për përfaqësuesin e LSI-së, Nasip Naco, lëvizja e shumicës është sipas tij një përpjekje për të patur nën kontroll drejtimin e Prokurorisë: “Gjërat janë paracaktuar, janë paravendosur, për të zgjedhur atë që doni, për problemet që keni ju si shumicë, probleme tashmë të evidentuara nga shtypi vendas e ndërkombëtar, por dhe nga Prokuroria, për të cilën ju thoni se nuk ka kompetencat që ka patur. Nuk do jetë më ky prokuror me këto fuqi, e megjithatë jeni prapë shumë të interesuar që ta zgjidhni me shumicë të thjeshtë”.

Qëndrimi i shumicës ishte në linjë me interpretimin e bërë kohë më parë nga ekspertët e misionit europian EURALIUS dhe atij amerikan OPDAT. E ndërsa në Komisionin e ligjeve ziente debati, ambasadori amerikan Donald Lu përmes një deklarate nënvizonte se “Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”.

Deputetët e opozitët i qëndruan besnik pozicionit të tyre. “Debati është Kushtetuta ose Ligji. Ne themi Kushtetuta, ju Ligji. Me ligjin vazhdoni. Ne qëndrojmë me Kushtetutën. Mirupafshim!” u shpreh deputeti Eduard Halimi, duke deklaruar braktisjen në shenjë proteste.

Pas largimit të opozitës, shumica i hapi rrugë procedurave për zgjedhjen e pasuesit të Kryeprokurorit aktual. Nga Bullgaria ku mori pjesë në një takim për integrimin europian të Ballkanit kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për një pakt me opozitën: “Për ta shfrytëzuar këtë çështje të Prokurorit të përgjithshëm si një pikënisje të rëndësishme duke u nisur nga fakti se pavarësisht se ne kemi mundësinë kushtetuese të një zgjedhje me shumicë të thjeshtë, të krijojmë kushtet që të kemi një zgjedhje të mirëkuptuar me opozitën dhe nga ana tjetër që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat”.

Nga ana e tij kreu demokrat Lulzim Basha u përgjigj, duke shkruar se "i vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”, theksoi zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG