Lidhje

Lezhë, vritet në atentat vëllai ish deputetit të PS


Në Shqipëri, mbeti i vrarë në një atentat, Aleksandër Ndoka, anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe vëllai i ish deputetit socialist Arben Ndoka, i cili dha dorëheqjen nga parlamenti i kaluar në kuadër të procesit të dekriminalizimit, për shkak të shkuarës së tij me precedentë penal. Aleksandër Ndoka, ka qenë pranë banesës së tij kur mendohet se ka rënë në pritën e vrasësve të cilët dyshohet të kenë qenë duke e pritur të fshehur në një banesë të rrënuar përballë shtëpive të vëllezërve Ndoka. Në vend ngjarje janë gjetur 14 gëzhoja armësh automatike. Dyshohet se ai është qëlluar fillimisht nga distanca dhe më pas vrasësit janë afruar duke shtënë mbi të nga afër.

Ndoka është gjetur i vrarë në automjetin e tij rreth orës 4 të mëngjesit. Policia shpjegon se ka shkuar atje pas një sinjalizimi në sallën e saj operative. Ndërsa familjarët thonë se Ndoka është gjetur nga një patrullë policie. Dyshohet që ai të jetë vrarë gjatë mbrëmjes. Me shumë gjasa ai është qëlluar me armë me silenciator, pasi të afërmit e tij kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna.

Aleksandër Ndoka, i zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës nën siglën e partisë “Rruga e Lirisë”, nuk kishte precedent të mëparshëm penal, ndërkohë që djali i tij, është arrestuar në muajin Tetor pasi dyshohet të jetë autor i dhunimit të një përfaqësuesi të LSI-së ditën e zgjedhjeve të 25 Qershorit. Për momentin mbeten ende të paqarta motivet e kësaj vrasjeje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG