Lidhje

Sulmi në Nju Jork mund të çojë në shtrëngimin e ligjeve të imigracionit


Policia e Nju Jorkut tha sot se ka ngritur akuza për kërcënime dhe mbështetje të terrorizmit ndaj personit që u përpoq të shpërthente një bombë artizanale në sistemin nëntokësor të transportit në Nju Jork. Autoritetet thanë se ai kishte ndjekur në internet propagandën e Shtetit Islamik dhe u kishte thënë hetuesve se kishte vepruar në shenjë hakmarrje ndaj agresionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet e kanë identifikuar të dyshuarin si imigranti 27 vjeçar nga Bangladeshi Akayed Ullah që punonte si shofer taksie. Ai kishte lidhur në trup një bombë artizanale të cilën u përpoq ta shpërthente në një tunel që lidh stacionin qendror të autobusëve me rrjetin e metrosë.

Pas sulmit, Shtëpia e Bardhë përtëriti thirrjet për dhënien fund të imigracionit zinxhir.

Gjatë orëve të rënduara të mëngjesit në seksionin nëntokësor të stacionit qendror të autobusëve pranë sheshit “Times Square”, në Nju Jork, 27 vjeçari Akayed Ullah nga Bangladeshi, tentoi, por dështoi në përpjekjen e tij për të shpërthyer një bombë artizanale.

I dyshuari, për të cilin autoritetet thonë se ishte frymëzuar nga Shteti Islamik, erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2011 përmes vizës F-4 për bashkim familjar, një prej çështjeve që administrata e Presidentit Trump po përpiqet ta kufizojë.

“Politika e presidentit kërkon dhënien fund të imigracionit zinxhir, dhe po të kishte egzistur kjo, do të kishte ndaluar këtë individ që të vinte në Shtetet e Bashkuara. Presidenti do të kërkojë një reformë imigracioni të përgjegjshme dhe dhënia fund e imigracionit zinxhir do të jetë pjesë e këtij procesi”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sara Huckabee.

Ambasada e Bangladeshit e dënoi aktin dhe tha se i dyshuari terrorist duhet të sillet para drejtësisë. Organet e rendit dhe media vërshuan në lagjen e qetë dhe të larmishme në Bruklin ku banonte i dyshuari.

Alan Butrico, një fqinj i cili drejton një biznes pranë apartamentit, thotë se nuk kishte vënë re ndonjë gjë të pazakontë.

“Ishte një fqinj i qetë dhe nuk kishim probleme me të. Kalonte para dyqanit tim, shkonte tek dyqani i ushqimeve, dhe shëtiste në park. Thjesht mendova se ishte një djalë i turpshëm dhe nuk fliste me askënd.”

I dyshuari po mjekohet për djegie në spitalin Bellevue në Manhaten. Tre kalimtarë pësuan lëndime të lehta nga shpëthimi i parakohëshëm.

Pranë vendit të ngjarjes, disa banorë u troditën nga incidenti ndërsa të tjerët treguan qetësi.

“Frika është gjithnjë e pranishme me ne që jetojmë në Nju Jork. Pas çdo zhurmë që nuk është normale trupi dridhet, ndërsa shikon përreth nëse duhet të shtrihesh përdhe apo jo”, thotë banorja e Nju Jorkut Laura Gonzales.

“Nuk kam frikë. Sado që janë përpjekur pas 11 shtatorit nuk kanë patur sukses”, thotë një banore e Nju Xhersit.

Sulmi i së hënës është i dyti me motive terrorist në qytetin e Nju Jorkut në më pak se dy muaj dhe bomba e parë që shpërthen në linjën e metrosë së Nju Jorkut në 23 vite.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG