Lidhje

SHBA, paralajmërim për rritje të ndërhyrjeve kibernetike


Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për një valë sulmesh kibernetike që do të kenë në shënjestër minimin e zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2018. Disa zyrtarë paralajmëruan se ky është vetëm fillimi i një kërcënimi më të thellë dhe më të gjerë.

Zyrtarët e zbulimit dhe të sigurisë, si dhe politikëbërësit dhe ekspertë të tjerë thonë se ajo që filloi me një përpjekje ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 ka evoluar.

Ata presin që raundi i ardhshëm i përpjekjeve kibernetike ruse do të jetë më i sofistikuar dhe më i përhapur, me gjasë mund të përfshijë një kombinim të fushatave të dezinformimit në mediat sociale së bashku me sulmet e mundshme të caqeve të pambrojtura.

Në periudhën afatshkurtër, shumë ekspertë presin që fokusi të mbetet në zgjedhjet amerikane. Ata gjithashtu presin që nuk do të kalojë shumë kohë derisa vendet e tjera përveç Rusisë do të përpiqen në mënyrë të ngjashme të shtrijnë ndikimin në zgjedhjet amerikane dhe mund t'i zgjerojnë objektivat e tyre edhe ndaj kompanive të sektorit privat dhe institucionet e tjera jetike.

"Unë mendoj se të gjithë kolegët e mi janë të shqetësuar ose duhet të shqetësohen për këtë," tha kryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, Richard Burr, në lidhje me kërcënimin afatshkurtër, gjatë një fjalimi këtë javë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington. "Unë mendoj se çdo shtet duhet të jetë i shqetësuar për këtë."

"Të besosh se Rusia nuk po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018 në Shtetet e Bashkuara, mendoj se do të ishte injorancë nga ana jonë", tha senatori Burr.

Shtetet amerikane përballen me kërcënime kibernetike ndaj insfrastrukturës së tyre zgjedhore

Në shtator, Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi 21 shtete se Rusia u përpoq të ndërhynte në sistemet e tyre të kompjuterizuara të zgjedhjeve. Në shumicën e rasteve, zyrtarët thanë se panë përgatitje për sulme kibernetike, si skanimi i sistemeve për të gjetur pikat e qasjes.

Edhe para zgjedhjeve të vitit 2016, Illinoi dhe Arizona njoftuan se dyshohet se aktorët rusë kishin arritur të hynin në listat e tyre të votuesve.

Megjithëse zyrtarët federalë dhe shtetërorë kanë qenë të shpejtë për të vënë në dukje se nuk ka dëshmi që hakerët rusë kanë arritur të ndryshojnë votat gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, shumë votues nuk ndihen të sigurt.

"Ne marrim thirrje telefonike çdo ditë, njerëzit janë të shqetësuar," thotë sekretari i shtetit të Indianës, Connie Lawson, i cili është gjithashtu president i Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit. "Unë kam marrë po aq thirrje telefonike në lidhje me sigurinë e zgjedhjeve tona këtë vit, këtë vit jashtë ciklit të zgjedhjeve, sa në vitet e kur ka zgjedhje".

Zoti Lawson thotë se shtetet po i marrin seriozisht shqetësimet e tilla dhe kanë punuar më ngushtë me zyrtarët federalë për të ndarë më mirë informacionet rreth kërcënimeve të mundshme. Ata gjithashtu kanë shtuar masat e sigurisë për të ruajtur sistemet e tyre shtetërore.

Megjithatë, Matt Blaze, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Pensilvanisë, nuk është i bindur se këto masa do të jenë të mjaftueshme.

"Nuk dua të them se zgjedhjet tona janë të paligjshme, por nuk e di nëse mund të them se ato nuk janë të paligjshme," tha ai. "Muaji i mjaltit do të përfundojë shumë, shumë shpejt".

Një shqetësim i veçantë për zotin Blaze janë sistemet zgjedhore të mbikëqyrura nga zyrtarët vendorë në më shumë se 3,000 qarqe në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

"Sistemi është ndërtuar me masa kundër kërcënimeve si korrupsioni konvencional, pra që dikush mos ta zgjedh veten kryetar bashkie ose të shesë votat", thotë zoti Blaze. "Vendet armike (si Rusia) madje as nuk figuronin në modelin e kërcënimeve ndaj këtyre sistemeve".

Për momentin, ekspertët si zoti Blaze po bëjnë thirrje që shtetet të thjeshtojnë sistemet e tyre dhe ta bëjnë më të lehtë kontrollin e tyre për për anomalitë që mund të tregojnë se dikush po përpiqet të manipulojë rezultatet.

Përpjekjet e aktorëve të jashtëm për të ndikuar zgjedhjet

Por edhe nëse votat janë të mbrojtura nga aktorët e jashtëm, metodat që Rusia ka përdorur potencialisht për të ndikuar mbi votuesit janë ndoshta më të vështira për t'iu kundërvënë. Dhe ato mund të zbatohen në shumë më tepër aspekte se sa vetëm në zgjedhje.

"Ne duhet të shikojmë përpara dhe, nëse mundemi, të përpiqemi të kuptojmë se si jo vetëm Rusia, por edhe të tjerët do të shfrytëzojnë aftësinë për të krijuar kaos në shoqërinë tonë", thotë senatori Burr, kryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin. "Kjo zgjerohet në një fushë shumë më të madhe se unë mendoj se ndonjëri prej nesh mund ta ketë parashikuar ndonjëherë."

Një frikë e përbashkët e senatori Burr dhe zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të tjerë është ndikimi që taktikat e tilla mund të kenë kur ato depërtojnë në aspekte të tjera të shoqërisë dhe infrastrukturës amerikane. Në shtator, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare i urdhëroi agjencitë qeveritare që të heqin produktet dhe shërbimet e firmës së sigurisë kibernetike dhe internetit, Kaspersky Lab, me bazë në Moskë, duke përmendur rreziqet e sigurisë së informacionit.

"Mund të jetë edhe një mjet i vendeve që duan të blejnë interesa (ose aksione) në kompanitë amerikane dhe të zgjedhin fillimisht të përdorin platforma e tyre të mediave sociale për të ulur çmimin para se të bëjnë blerjen", paralajmëron senatori Burr. "Tani ky mjet është në dispozicion të çdo vendi që dëshiron ta përdor për sa kohë që ato vende kanë novacion dhe kapital".

Vështirësia që qeveritë perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara kanë patur në luftimin e fushatave të tilla të ndikimit në mediat sociale, i bënë këto rreziqe edhe më shqetësuese.

"Ju nuk mund t’i kundërpërgjigjeni, online ose në terren, një fushate të shtrirjes së ndikimit, nëse nuk e dini se cilat janë politikat e vendit tuaj, cilat janë sistemet tuaja të besimit dhe sistemet me të cilat do të luftoni," thotë ish axhenti i FBI-së, Clint Watts.

Në vend të kësaj, zoti Watts sheh një zvarritje të sigurt por të qëndrueshme, me taktikat ruse që po shfrytëzohen nga vende të tjera, si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë tanë.

Pas fillimit të operacioneve të dezinformimit në internet dhe në aspekte të tjera të shoqërisë, përpjekjet e bashkërenduara kundër tyre mund të mos jenë të efektshme, thotë Thomas Rid, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Johns Hopkins.

Profesor Rid, i cili ka studiuar metodat e Stasit, policisë së frikshme sekrete të Gjermanisë Lindore komuniste, thotë se arsyeja për këtë është se shumica e fushatave të përhapjes së dezinformatave është e ndërthurur me fakte.

"Ata [Stasi] mendonin se përzierja më e mirë e të vërtetës, e faktit me falsifikimin dhe gënjeshtrën është 80 për qind e vërtetë, 20 për qind gënjeshtër, sepse kjo e bën të vështirë për gazetarët ose për ekspertët si ne, për të shpjeguar se çfarë është në fakt e vërtetë, çfarë është fakt dhe çfarë nuk është fakt", thotë profesor Rid.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG