Lidhje

Kryeprokurori i përkohshëm, dëgjesa me kandidatët


Në Shqipëri, komisioni parlamentar i Ligjeve nis sot pasdite seancat dëgjimore me kandidatët që kanë aplikuar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në garë janë 7 prokurorë të cilët ju përgjigjën thirrjes së Komisionit të Ligjeve, i cili në përfundim të dëgjesave do të vendosë për kandidaturat që do t’i dërgojë për votim parlamentit.

Në mbledhjen e sotme munguan deputetët e opozitës, e cila ka kundërshtuar procesin si të paligjshëm, për shkak të mosngritjes ende të Këshillit të Lartë të Prokurorisë E majta nga ana e saj i është përmbajtur interpretimit të bërë nga Euralius dhe Opdat, sipas të cilit duhet të caktohet një kryeprokuror I përkohshëm, që zgjidhet nga parlamenti me shumicë të thjeshtë.

Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha deklaroi më herët gjatë ditës, se “vendi ndodhet në prag të një puçi kushtetues”. Sipas tij interpretimi i dy misioneve ndërkombëtare nuk ka asnjë vlerë, ndërsa për thirrjet si të ambasadorit amerikan dhe delegacionit të BE-së që të ecet përpara me këtë process ai tha se “nuk mund t’i shkojë kurrë në mendje asnjë përfaqësuesi ndërkombëtar, t’i kërkojë shqiptarëve, apo faktorëve politikë, apo opozitës, të shkelin mbi konsensusin e 22 korrikut” që çoi në miratimin e Reformës në Drejtësi.

Edhe drejtuesja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se “Shqipëria – sipas saj - është kthyer në diktaturë kriminale” dhe se dëgjesat e Komisionit të Ligjeve “janë të paligjshme”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG