Autoritetet zgjedhore në Honduras shpallënpresidentin aktual Juan Orlando Hernandez fitues të zgjedhjeve të debatueshme të nëntorit, ndërsa opozita reagoi ndaj këtij vendimi duke e quajtur atë një mashtrim.
Juan Orlando Hernandez fitoi pak më pak se 43 për qind të votave, ndërsa sfiduesi i majtë, Salvador Nasralla mori më pak se 42 për qind.
Zoti Nasralla ndodhet sot në Uashington, ku do të takohetme zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe të Organizatës së Shteteve Amerikane, OAS. Ai thotë se ka ardhur për të sjellë prova mbi parregullsitë zgjedhore.
"Unë kam besim tek Organizata e Shteteve Amerikane, BE-ja , dhe organizazata të tjera. Ne jemi një vend i vogël dhe se ka forca të tjera që punojnë në botë", thotë ai.
Hondurasi ka kaluar një periudhë të pasigurtë për tre javë, që kur komisioni zgjedhor njoftoi se kandidati i opozitës ishte në epërsi, më pas pezulloi numërimin e votave, pastaj rifilloi numërimin dhe nxori fitues presidentin aktual Hernandez.
Paqartësia e rezultatit të zgjedhjeve ka shkaktuar disa ditë protesta të dhunshme në këtë vend të Amerikës Qëndrore, në të cilat njëzet persona humbën jetën.
Zoti Hernandez nuk ka bërë asnjë koment publik për vendimin. Ai është duke mbajtur zi për motrën e tij 51-vjeçare Hilda, e cila ishte një këshilltare e ngushtë e tij. Ajo vdiq në një aksident me helikopter të shtunën.
Presidenti Hernandez vuri kandidaturën për t’u rizgjedhur pavarësisht se kushtetuta e Hondurasit e kufizon në vetëm një mandat postin e presidentit. Ai pretendon se Gjykata e Lartë e ka anuluar ligjin.
Zyrtarët zgjedhorë kishin afat deri më 26 dhjetor të shpallnin fituesin ose zgjedhjet duhet të shpalleshin të pavlefshme.
Facebook Forum