Lidhje

Pekini paralajmëron SHBA, pas strategjisë së re të Presidentit Trump


Një ditë pasi Presidenti Donald Trump e quajti Kinën një rivale që kërkon të sfidojë fuqinë amerikane, Pekini i bëri një paralajmërim SHBA-së, se një konfrontim i mundshëm do të sillte humbje për të dyja palët.

Një zëdhënëse e qeverisë kineze tha se Kina shpreson që Shtetet e Bashkuara ta lënë pas mentalitetin e lojërave ku fituesi i merr të gjitha, si dhe të kërkojnë pikat e përbashkëta, duke respektuar ndërkohë edhe diferencat.

“Bashkëpunimi është zgjedhja e vetme e mirë për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara dhe vetëm nëse të dyja palët fitojnë mund të kemi një të ardhme më të mirë. Nuk është befasuese që të dyja fuqitë të kenë diferenca, por të dyja duhet të ndërmarrin hapa konstruktive për të respektuar interesat dhe shqetësimet themelore të njëri-tjetrit. I bëjmë thirrje SHBA-së të mos vazhdojë shtrembërimin e qëllimshëm të objektivave strategjike të Kinës, si dhe të braktisë idetë e vjetëruara me mentalitete të Luftës së Ftohtë. Nëse nuk vepron kështu, ka për të dëmtuar veten dhe të tjerët”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Në strategjinë e re të sigurisë kombëtare, të bazuar tek platforma e Presidentit Trump “Amerika e Para”, Shtetet e Bashkuara i klasifikuan Kinën dhe Rusinë, si rivalë që kërkojnë të gërryejnë sigurinë dhe begatinë e Shteteve të Bashkuara.

Veçimi i Kinës dhe Rusisë si fuqi që synojnë rishikimin e rendit botëror vjen megjithë përpjekjet e Presidentit Trump për të ndërtuar marrëdhënie të forta me Presidentin e Kinës Xi Jinping, ndërkohë që të dyja palët po kërkojnë të frenojnë programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG