Lidhje

SHBA: Shpejtësia, shkaku i rrëzimit të trenit


Hetuesit federalë amerikanë njoftuan se treni që u rrëzua në shtetin veri-perëndim të Uashingtonit, në momentin e aksidentit po udhëtonte me 128 kilometra në orë, në një pjesë të shinave ku kufiri i lejuar i shpejtësisë është 48 kilometra në orë. Treni doli nga shinat në një kthesë në jug të Siatëllit dhe disa prej vagonëve të tij u rrëzuan në një autostradë me mjaft trafik. Si pasojë e aksidentit u vranë të paktën tre pasagjerë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.

Anëtarja Bordit Kombëtar për Sigurisë e Transportit Bella Dinh-Zarr u tha gazetarëve se hetuesit po ekzaminojnë një nga regjistruesit e të dhënave të ngjarjes që u gjetën në një prej dy lokomotivave të trenit, i cili po kryente udhëtimin tij të parë në një linjë të re.

Zonja Dinh-Zarr tha se puna e ekipit po zhvillohet në vendin e rrëzimit të trenit dhe se hetuesit do të intervistojnë anëtarët e ekuipazhit të tranit për të përcaktuar se çfarë shkoi keq dhe pse.

"Pyetja që ngrihet është: pse treni po udhëtonte me 128 kilometra në orë, në një zonë ku shpejtësia duhet të ishte 48 km në orë? Është ende herët për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje. Arritëm të sigurojmë të dhëna nga regjistruesi i të dhënave mbi ngjarjen që ndodhet në lokomotivën e pasme ndërsa ishte më e vështirë qasja tek lokomotiva përpara. Pas kësaj do të japim më shumë informacion në lidhje me shpejtësinë e trenit, shpejtësinë e lejuar në binarë dhe arsyet e ngjarjes", tha ajo.

Zakonisht ekipeve të Bordit Kombëtar për Sigurisë e Transportit u duhet nga 7 deri në 10 ditë kohë përpara se të lëshojnë një raport mbi gjetjet.

Sipas autoriteteve të policisë së Uashingtonit pesë automjete si dhe dy kamionë u goditën nga vagonët e trenit duke plagosur disa drejtues të tyre por pa shkaktuar asnjë të vrarë.

Kompania Amtrak njoftoi se në trenin Cascades 501 udhëtonin 80 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, si pjesë e një shërbimi të ri të zgjeruar mes Siatëllit të Uashingtonit dhe Portlandit të Oregonit.

Treni u rrëzua në gjysmën e rrugës mes Olimpias, kryeqyteti i shtetit Uashingtonit dhe qytetit të Leikudit.

Kryebashkiaku i Leikudit Don Anderson i tha “Zërit të Amerikës” se autoritetet e qytetit kanë qenë kundër linjës së re hekurudhore të kompanisë Amtrak, ku udhëtonin trena pasagjerësh më shpejtësi më të madhe në binarë më pak të përdorur. Sipas tij ky ishte një projekt i kushtueshëm që ofronte pak përfitime në transportin e pasagjerëve ndërsa krijonte rrezik për këmbësorët dhe transportin rrugor për shkak të kryqëzimit të rrugëve me shinat e trenit.

Në maj të vitit 2015, një tjetër tren i kompanisë Amtrak doli nga shinat në Filadelfia pasi hyri në kthesë më dyfishin shpejtësisë së lejuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG