Votuesit në rajonin spanjoll të Katalonjës zgjedhin sot anëtarët e parlamentit të tyre rajonal, në një proces të thirrur pasi ligjvënësit separatistë bënë një deklaratë të njëanshme për pavarësi në muajin tetor.
Sipas sondazheve publike përpara votimit, gara është e ngushtë dhe si krahu pro pavarësisë dhe ai pro bashkimit gëzojnë mbështetje pothuaj të barabartë.
Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën, që do të thotë se për formimin e qeverisë rajonale do të nevojitet një koalicion.
Në votimet e sotme pritet të marrin pjesë rreth 5.5 milionë votues.
Qeveria qendrore e Spanjës mori kontrollin e rajonit të pasur në veri të vendit pasi parlamenti rajonal në Barcelonë votoi për pavarësi më 27 tetor, më shumë se tre javë pasi 90 përqind e banorëve të Katalonjës votuan në një referendum në favor të shkëputjes.
Megjithatë, në atë votim morën pjesë më pak se gjysma e elektoratit.
Pas këtyre zhvillimeve dhjetëra politikanëve separatistë u arrestuan dhe kreu i qeverisë rajonale Carles Puigdemont u arratis në Belgjikë për t'i shpëtuar arrestimit nën akuzën e rebelimit dhe të kryengritjes.
Tetë anëtarë të ish qeverisë rajonale dhe dy aktivistë të rëndësishëm ndodhen në burg.