Lidhje

Presidenti Trump flet për përfitimet nga ligji i taksave


Trump
Trump

Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën i bëri jehonë arritjes së tij më të madhe legjislative, reformës së taksave që ai e quan mbajtje të premtimit të bërë në fushatë. Zoti Trump komentoi dje pasdite, pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e reformës së taksave. Demokratët në Kongres e kritikuan ligjin, prej të cilit ata thonë se përfitojnë më shumë amerikanët më të pasur dhe se përfshin klauzola që që u mundësojnë korporatave të shmangin taksat.

I entuziazmuar, zoti Trump foli para një grupi njerëzish para Shtëpisë së Bardhë të mërkurën, i rrethuar nga republikanët që duartrokisnin..

"Është shkurtimi më i madh, do të thoja më masivi në historinë e vendit tonë dhe të reformave. Diçka vërtet fare e veçantë”.

Zoti Trump ka thënë se reforma e taksave do të lehtësojë amerikanët e klasës së mesme dhe do të ndihmojë fermerët të mos i humbin fermat e tyre. Ai tha gjithashtu se reforma e taksave do të inkurajojë kompanitë të investojnë në Shtetet e Bashkuara.

"Kjo do të thotë që kompanitë do të rikthehen dhe unë bëra fushatë mbi faktin që nuk do të humbim kompani të tjera. Ato do të mbeten të hapura në vendin tonë dhe ju po e shihni se çfarë po ndodh qoftë edhe vetëm nga mendimi se taksat do të shkurtohen”.

Por demokratët janë të pakënaqur nga mënyra se si ligji u kalua me nxitim në kongres, pa një seancë publike diskutimi dhe me amendamente që u shtuan në minutën e fundit. Ata thonë se ligji ka hapësira që kompanitë do t’i përdorin për të shmangur pagesën e taskave.

"Korporatat janë të mbushura me para, tregu i aksioneve është në kulmin e tij, por nuk po krijohen vende pune. Mjaft të shohësh gjithë kompanitë që kanë thënë se do t’i përdorin shkurtimet e taskave për të riblerë aksione, gjë që nuk sjell përfitim për amerikanët e thjeshtë”, tha kreu i pakicës në senat, Chuck Schumer.

Ai shtoi se ulja e taksave për amerikanët e thjeshtë do ta humbasë vlerën, pasi do t’u duhet të paguajnë më shumë për sigurimet shëndetësore.

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ligji i jep grupit 1 për qind të amerikanëve më të pasur mbi 80 për qind të të përfitimeve, ndërsa 86 milionë familjeve amerikane do t’u shtohen taksat.

"Përfitimet që u jepen familjeve të klasës së mesme janë aq të vogla saqë janë ofenduese. Dhe janë të përkohshme. Shkurtimet për korporatat janë të gjera dhe të përhershme."

Në të ardhmen e afërt, shumica e taksapaguesve do të paguajnë më pak taksa, por ato shkurtime skadojnë në vitin 2025. Reforma e taksave pritet që ta rrisë me 1 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme borxhin që aktualisht është afro 20 trilionë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG