Lidhje

Kritiku i Putinit, Navalny ndalohet të kandidojë për president


Në Rusi, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve votoi sot për të penguar udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny të kandidojë për zgjedhjet presidenciale që mbahen në muajin mars të vitit të ardhshëm. Sipas komisionit zoti Navalny është i papërshtatshëm për të kandiduar për President për shkak të një vendimi të pezulluar që e dënon atë me burg, për të cilin udhëheqësi i opozitës thotë se ishte i motivuar politikisht. Alexei Navalny paralajmëroi se do ta apelojë vendimin e Komisioni Zgjedhor ndërsa bëri thirrje për ta bojkotuar proçesin.

Dymbëdhjetë anëtarë të komisionit prej 13 vetësh votuan kundër kandidimit të udhëheqësit të opozitës. Një anëtar abstenoi, duke cituar një konfliktit të mundshëm interesi. Sipas sondazheve Presidenti Vladimir Putin është në rrugë të mbarë për t’u rizgjedhur i qetë, që do të thotë se ai mund të mbetet në pushtet derisa në vitin 2024. Përpara votimit në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve kreu i opozitës ruse Alexei Navalny tha se kishte marrë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e garës presidenciale për të sfiduar udhëheqësin aktual Vladimir Putin.

Kritiku i kahershëm i presidentit Putinit fitoi dje mbështetjen e 742 personave nga 500 që është minimumi i nevojshëm për të nisur procesin e kandidimit zyrtar.

"Ne do t’i fitojmë këto zgjedhje dhe pavarësisht nga dallimet në burime, mund ta sfidojmë me sukses qeverinë aktuale. Kërkesa jonë kryesore është paksa e ndryshme nga gjithë të tjerat, sepse kemi një situatë të veçantë. Kërkojmë të na lejoni të marrim pjesë në zgjedhje. Siç kam thënë edhe më parë: nëse unë apo ekipi im nuk do të marrim pjesë në zgjedhje, kjo do të thotë se një numër i madh i elektoratit rus nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në proçes. Ne do t’u kërkojmë atyre, të mos e lejojnë që kjo të ndodhë", tha Alexei Navalny udhëheqësi i opozitës ruse.

Mbështetësit e zotit Navalny u mblodhën në qytete të shumta në të gjithë vendin, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun. Pjesëmarrësit mbanin në duar karta të kuqe votimi në shenjë miratimi të kandidimit të zotit Navalny për garën presidenciale të planifikuar të zhvillohet në mars të 2018-s.

"Edhe nëse Alexei nuk do të lejohet të kandidojë, edhe nëse nuk mbledhim mjaftueshëm vota, megjithëse jam e sigurt se po, kjo që po ndodh ka shumë rëndësi, sepse njerëzit u zgjuan nga “gjumi letargjik” dhe kuptuan se mund ta ndryshojnë vendin”, thotë Maryana, përkrahëse e Aleksei Navalny-t.

Megjithatë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi procedoi sot me votimin për të ndaluar kandidimin e tij, duke e shpallur udhëheqësin e opozitës të papërshtatshëm për të kandiduar për President. Gjatë vitit të kaluar Alexei Navalny u burgos tre herë për organizim të takimeve publike dhe tubimeve në kundërshtim me ligjin.

Sondazhet tregojnë se presidenti Putin gëzon mbështetjen e 80 përqind të votuesve dhe ai pritet t’i fitojë gjerësisht zgjedhjet. Por, siç tregojnë mitingjet e ditës së djeshme, mbështetja për Alexei Navalny po rritet, veçanërisht pas fushatave të tij të zhvilluara për një vit në zonat më rurale të Rusisë.

XS
SM
MD
LG