Lidhje

Tensionet izraelito-palestineze


Qindra palestinezë janë arrestuar në protestat e dhunshme që kanë pasuar planet e Uashingtonit për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem. Palestinezët dhe izraelitët po përplasen edhe një herë me njëri-tjetrin me gurë e gaz lotsjellës, ndërsa numri i të vdekurve rritet. Më shumë hollësi sjell materiali në vazhdim.

Këto pamje filmike të regjistruara me telefon celular më 15 dhjetor tregojnë 17 vjeçaren Ahed Tamimi tek godet dy ushtarë izraelitë.

Dje një gjykatë ushtarake vendosi që ajo, së bashku me nënën dhe kushurirën e saj të cilat gjithashtu shfaqen në video, të qëndrojnë në paraburgim deri të enjten.

Pas arrestimit lidhur me videon që u përhap me shpejtësi në internet, kjo është hera e dytë që për Ahed Tamimin zgjatet koha e paraburgimit.

"Nëse arrestimi do të ishte bërë vetëm për hir të hetimit të asaj që tregojnë pamjet filmike, atëherë Ahedi do të ishte liruar kohë më parë. Sjellja e policisë dhe e forcave të sigurisë tregon se ky është një arrestim për ta ndëshkuar, për ta poshtëruar atë dhe familjen e saj. Shpresoj që gjykata t’i japë fund kësaj”, thotë Gabi Laski avokate e familjes.

Që kur Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit më 6 dhjetor, në territoret palestineze janë rritur tensionet.

Mes palestinezëve dhe izraelitëve ka patur përplasje të dhunshme me pasojë 12 të vrarë dhe qindra palestinezë të arrestuar.

"Jemi mësuar të shtypemi nga zaptuesit izraelitë. Ata janë përpjekur gjithnjë të na mbyllin gojën, të mos na lënë të ngremë flamurin tonë. Jemi këtu t’u themi se mesazhi ynë është fare i qartë: Jeruzalemi është kryeqyteti ynë i përjetshëm”, thotë Azhar Abu Srour, banore e Betlehemit.

Dje në mesin e një grupi izraelitësh që protestonin ndaj Hamasit ishte ligjvënësi i krahut të djathtë Oren Hazani. Grupi bllokoi përkohësisht autobusët që transportonin të afërmit e të burgosurve palestinezë që ndodhen në një burg izraelit.

Oren Hazani hipi në autobus dhe nisi të ofendojë familjarët.

"Ne do t’ju zbojmë që këtej. Forca dhe dhuna nuk ndihmojnë më, nuk funksionojnë më. Nuk mund të na trembni apo dekurajoni më. Do t’ua ngrijmë buzëqeshjet tuaja të shëmtuara. Nuk na bëhet vonë për ju dhe nëse nuk e kuptoni me të mirë, do ta kuptoni me forcë. Nëse vendosim të veprojmë me forcë kjo do t'ju lëndojë”, tha Oren Hazani ligjvënës izraelit i partisë Likud.

Hamasi, grupi militant me i fuqishëm në Rripin e Gazës, ka dënuar sjelljen e Izraelit pas konfrontimeve që kanë përfshirë palët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG