Lidhje

Shqipëri: Naftëtarët e Ballshit marshojnë për të drejtat dhe pagat


Afro 200 punëtorë të Kombinatit të Përpunimit të Thelllë të Naftës në Ballsh të Mallakastrës nisën një marshim në këmbë nga Fieri për në kryeqytet në shenjë proteste ndaj autoriteteve shtetëtore dhe private, që nuk u kanë dhënë pagat dhe sigurimet shoqërore.

Ata u nisën sot në mëngjes drejt kryeqytetit pas një tubimi në sheshin e prefekturës së Qarkut të Fierit me parrullat “Poshtë Hajdutët” dhe Duam Paratë Tona”.

Ky marshim erdhi pas një serie protestash më të vogla pranë uzinës së tyre, ku ata punojnë prej shumë dekadash dhe ku zëri dhe kërkesat e tyre nuk dëgjohen prej një kohe të gjatë.

Punëtorët e Përpunimit të Naftës në Ballsh nisën protestat një javë më parë, duke kërkuar pagën e muajit nëntor dhe rifillimin e punës në kombinat, sepse remonti i saj ndaloi në fillim të dhjetorit.

Protestuesit kërkuan që shteti të ndërhyjë për të furnizuar kombinatin me lëndë të para në mënyrë që të rifillojë puna, ose protesta do të përshkallëzohej, siç edhe ndodhi.

Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social, një organizatë sindikale që mbështet të drejtat e punëtorëve, përkrahu punëtorët e Rafinerisë, duke u kujtuar drejtuesve detyrimet e pronarëve për paga dhe sigurime të plota për punonjësit.

Shpjegimi se Kombinati del me humbje është i pabazuar në realitet dhe në ligje, pohojnë ata, ndërkohë që institucionet shtetërore duhet të detyrojnë pronarin që të shlyejë plotësisht pagat e punonjësve, si detyrim minimal ligjor, që del nga Kodi i Punës.

Një kontroll shtetëror nga ministria e financave dhe ekonomisë vlerësohet si i nevojshëm, së bashku me drejtorinë e përgjithshme tatimore dhe Inspektoriatin Shtetëror të Punës për zgjidhjen e problemit të pagave të papaguara të punonjësve, sepse shteti shqiptar shqiptar ruan ende 15% të aksioneve të Rafinerisë.

Deri tani asnjë nga 3 institucionet shtetërore nuk ka nxjerrë ndonjë deklaratë për zhvillimet dhe përgjegjësitë.

Përshkallëzimi i protestave mund të vështirësojë më tej situatën shëndetësore të protestuesve në këto ditë të ftohta dimri plot rreshje dhe ngrica.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG