Lidhje

Gara për senatorin e Alabamës me sfida të reja


Më shumë se dy javë pas humbjes në zgjedhjet speciale për në Senatin amerikan, republikani i Alabamës Roy Moore ka paraqitur një ankimim të minutës së fundit për të parandaluar çertifikimin e fitores së kundërshtarit të tij.

Zoti Moore e paraqiti ankimimin në një gjykatë shtetërore dje pasdite vonë, pak orë përpara se Doug Jones të shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të cilat i fitoi me 20 mijë vota më shumë.

Sipas ankimimit Roy Moore pretendon se humbi për shkak të "mashtrimit sistematik me votat" dhe përmend për këtë pjesëmarrjen më të lartë nga sa pritej në kontenë e Xhefersonit, zona më e populluar e shtetit, së bashku me parregullsitë në 20 qëndra të tjera votimi në periferi.
Avokatët e zotit Moore kërkojnë të hetohet lidhur me pretendimet e tyre si dhe shtetit që të zhvillojë një proces të ri zgjedhor. Zoti Moore ka refuzuar thirrjet për të pranuar rezultatin.

Sekretari i shtetit i Alabamës John Merrill tha se nuk ka zbuluar ndonjë dëshmi për mashtrim me votat. Nëse fitorja e Doug Jones çertifikohet sot, ai pritet të betohet javën e ardhshme duke zëvendësuar në Senat vendin që mbahej nga Jeff Sessions, i cili u largua për të marrë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në kabinetin e Presidentit Donald Trump.

Zoti Jones është demokrat i parë në 25 vjet që zgjidhet për në Senatin amerikan nga shtet i njohur si bastion i fortë i republikanëve.

Roy Moore një ish gjyqtar i gjykatës lartë të shtetit Alabama njihet për pikëpamjet e tij të forta fetare. Fushata e tij u dëmtua kur gazeta Uashington Post botoi akuzat e disa grave ndaj tij për ngacmime seksuale kur ato ishin adoleshente dhe zoti Moore në të 30-at.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG