Lidhje

Teknologjia ndihmon stërvitjen efektive të ushtarëve


Ushtria amerikan po shqyrton mundësinë e përdorimit të teknologjisë së re, siç janë ndjesorët në uniforma, apo realitetin virtual, për të përmirësuar stërvitjen e rekrutëve. Në një takim mes disa oficerëve dhe pedagogëve nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut, ushtarakët flasin për nevojën për të futur në ushtri teknologjinë moderne. Ju njohim tani me disa zhvillime teknologjike që mund të ndihmojnë ushtrinë:

Gjatë stërvitjes ushtarake, mendja dhe trupi duhet të japin maksimalen. Në disa raste kjo mund të ketë pasoja fatale:

“Na vdesin më shumë marinsa e ushtarë në stërvitje se në luftime. Përse? Shpesh herë nga lodhja dërrmuese,” thotë Kolonel Lejtnant Warren Cook.

Për të ndihmuar rekrutët të stërviten sa më mirë dhe pa rrezik për jetën, degët e ndryshme të ushtrisë po analizojnë pajisje teknologjike si ndjesorët që vihen në trup, thotë Charnele Mello që punon për Qendrën Kërkimore e Inxhinierike për Ushtarët:

“Ende jemi në fazën e provës, deri tani po provojmë produkte që janë në treg. Kemi një numër ndjesorësh që po i provojmë në kuadër të sistemit mbi gjendjen fiziologjike, si monitor për zemrën, apo matësa të tjerë si Fitbit”.

Në Korpusin e Marinsave, teknologjia shihet si një faktor që ndihmon përgatitjen për luftime:

“Si mund të arrijmë përmes shkencës dhe teknologjisë të përgatisim marinsa e ushtarë më të efektshëm për luftim?” thotë Kolonel Lejtnanti Warren Cook.

Realiteti virtual, apo i përzier ose i modifikuar për përdorim në ushtri është një koncept i ri që po vihet në provë në Universitetin e Kalifornisë së Jugut. Synimi i njërit prej projekteve është që të komandohen dronët që të ndjekin dhe të kapin lëvizjet e një personi në mënyrë që ato të studiohen gjatë një procesi të simuluar stërvitor:

“Kur kombinohet kapja me saktësi në mënyrë autonome, e mundësuar nga këto të dhëna biologjike, do të ndryshojë mënyrën si stërviten atletët. Do të ndryshojë mënyra e stërvitjes së ushtarëve si dhe mënyra si ndërvepron bota,” thotë Todd Richmond i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Një tjetër projekt është realiteti virtual dhe i modifikuar, i quajtur Monticello, ku përdoruesi ndërvepron me një ekspert virtual.

“Nëse je në mjedis të rrezikshëm dhe je i stërvitur që të dallosh vendet e rrezikshme dhe ato të sigurta, mund të përdorësh realitetin e modifikuar për të fotografuar një korridor ose një zonë dhe një ekspert virtual të tregon në aplikacion ku janë vendet e rrezikshme e ku janë ato të sigurta dhe ku duhet të shkosh,” thotë Adam Reilly i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Oficerët në komandë thonë se teknologjia mund të përgatisë më mirë rekrutët për stërvitje dhe më tej…pasi një rekrut i stërvitur si duhet do të jetë edhe një ushtar i mirë në konflikt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG