Lidhje

Roli i Nënpresidentit Pence gjatë 2017-s


Historikisht, Nënpresidentët amerikanë kanë patur ndikime të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë, në varësi të marrëdhënies me Presidentin. Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump përgatitet për vitin e saj të dytë, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton se si vazhdon të zgjerohet roli i Nënpresidentit Pence.

Gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit, ndër to edhe një vizitë në dhjetor tek forcat amerikane në Afganistan, Mike Pence ka ndërmarrë rolin e të dërguarit presidencial.

Roli i tij është më shumë se sa thjesht simbolik, thotë një historian i nënpresidentëve.

“Duket se Nënpresidenti Pence përfshihet në vendimmarrjen në Shtëpinë e Bardhë dhe se merr shpesh përsipër detyra. Në komentet e tij publike, ai shfaqet me lavdërime, ndonjëherë edhe entuziast për Presidentin”, thotë historiani Joel Goldstein, i Universitetit të Saint Louis.

...Dhe duket se ai e ka përqafuar këtë mision.

Në disa administrata, Nënpresidenti ka pak pushtet. Në të tjera, ai është partner i Presidentit.

“Nelson Rockefeller, Nënpresident me Gerald Ford-in, e pati quajtur paisje në gatishmëri. Vepron si nxitësi kryesor dhe ka influencë në Shtëpinë e Bardhë”, thotë Sherry Bebitch Jeffe, e Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Mike Pence nuk ka dukshmërinë e Joe Biden-it apo Al Gore-it, por roli i tij po evoluon.

Ai ka marrë detyrën e sqaruesit presidencial.

“Kur Presidenti ka bërë deklarata të debatueshme, si p.sh. vënia në pikëpyetje e nenit për mbrojtjen e përbashkët të NATO-s, apo deklaratat për Venezuelën, Nënpresidenti ka dalë në skenë për t’i qartësuar gjërat”, thotë zoti Goldstein.

Ai konfirmoi përkushtimin amerikan ndaj NATO-s, si dhe bëri thirrje për masa diplomatike për të ndalur rrëshqitjen e Venezuelës drejt diktaturës.

Megjithëse, Presidenti Trump mbështeti kandidatin për në Senat në shtetin Alabama, Roy Moore, i cili humbi pas akuzave për tentativa seksuale me adoleshentë, Nënpresidenti Pence nuk i dha mbështetje dhe shtoi se akuzat ishin shqetësuese.

Në dallim nga Presidenti Trump, zoti Pence ka eksperiencë të gjatë politike – 12 vjet si ligjvënës nga Indiana dhe 4 vjet si guvernator i atij shteti.

“Zoti Pence njihet nga anëtarët e Kongresit dhe të paktën ligjvënësit republikanë i besojnë atij”, thotë zonja Bebitch Jeffe.

Duke ngushëlluar viktimat e uraganit në Teksas, apo në vizita zyrtare në Argjentinë dhe Australi, zoti Pence po formon rolin e tij si i dërguar presidencial.

“Është një rrugëtim i vështirë, ndërsa ai mundohet ta mbështesë Presidentin dhe ta qetësojë atë, ndërkohë që përpiqet të mos përqafojë plotësisht disa prej mesazheve të tij të debatueshme në Twitter, apo deklaratat e herëpashershme që bën Presidenti”, thotë zoti Goldstein.

Deri më tani, analistët thonë se Nënpresidenti Pence ja ka dalë mbanë gjatë këtij rrugëtimi të vështirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG