Në Shqipëri dy vendime të gjykatës së Elbasanit, në vitin 2019 dhe 2021, pushuan çështjet penale të ngritura në ngarkim të sipërmarrësit Orest Sota, i arrestuar në nëntor të vitit 2017 pasi nuk ndaloi në një postobllok kontrolli të ngritur nga polica.
Ndaj zotit Sota u ngritën fillimisht disa akuza, “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”; “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” si dhe dyshime për veprat penale “fshehja e të ardhurave” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”, duke qenë se nga kontrolli, në automjetin e tij u gjenden 863 mijë euro.
Sipërmarrësi Sota që në fillim kishte deklaruar se paratë ishin pjesë e një pagese që i ati, një sipërmarrës i njohur, do të bënte për të blerë një sasi të madhe hekuri në kompaninë Kurum.
Në nëntor të vitit 2019, Prokuroria e Elbasanit, kërkoi pushimin e çështjes për veprën penale “fshehja e të ardhurave” dhe në 16 dhjetor 2019 Gjykata e Elbasanit e deklaroi atë fajtor vetëm për veprën penale “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” si dhe “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, duke e dënuar me 6 muaj burgim, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 4 muaj burgim, dhe që për pjesën e pakryer të dënimit, u zëvendësuan me 240 orë punë në interes publik pa shpërblim, në favor të Bashkisë së Tiranës.
Për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”, në datë 16 mars të vitit 2021 Gjykata e Elbasanit pranoi kërkesën e prokurorisë dhe me vendim të formës së prerë e pushoi çështjen, mbështetur në faktet e paraqiture dhe në rezultatin e ekspertizës financiare.
Ngjarja e vitit 2017, mori përmasa të tjera, pasi në automjetin e sipërmarrësit u gjetën dhe dy patenta lundrimi të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit në atë kohë kishte nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të rënda.
Facebook Forum