Lidhje

Panairi i pajisjeve elektronike për konsumatorët


Panairi i pajisjeve elektronike për konsumatorët hapet këtë fundjavë në Las Vegas të Nevadës. Ka një mori kompanish të reja që marrin pjesë në panair duke shpresuar të bëhen me emër.

Para panairit në Las Vegas, produktet e tij shpalosen në Amsterdam.

Këtu është vendi ku kompanitë e reja – si ajo për përkthime fjalimesh Travis – përgatiten për panairin e madh të Elektronikës për Konsumatorët që hapet në Vegas këtë fundjavë.

Travis është ashtu siç e mendoni: thua një shprehje në një gjuhë dhe ai ta përkthen në shumë gjuhë të tjera.

"Ka shumë vende kur nuk flitet anglisht apo gjuhë të huaja. Kështu që për turistët aplikacioni është perfekt. Mund të shkosh kudo dhe të flasësh me këdo. Është e mahnitëshme", thotë Lennart Van Der Ziel me kompaninë Travis.

Meal Hero hyn në kategorinë e aplikacioneve që lidhen me internetin, pajisje që supozohet t’ua bëjnë jetën më të kollajshme.

Ushqime të ngrira dhe të shëndetshme shpërndahen me porosi në shtëpi. Me një të prekur, paketat fillojnë të gatuhen.

Somnox është një robot i ndërtuar për të ndihmuar njerëzit për të fjetur mirë gjatë natës.

"Sapo e merr në dorë, ndjen një frymëmarrje. Një sensacion frymëmarrjeje që e bën të lehtë për ta sinkronizuar me frymarrjen tënde. Pajisja ul stresin, rrit relaksimin dhe e kombinuar me një audio si një e rrahur zemre apo zërin e një meditimi, duke arritur të të verë në gjumë", thotë Julian Jagtenverg me kompaninë Somnox.

Ka pajisje të tjera si kjo derë elektronike për kafshët shtëpiake dhe ushqyes.

Apo ky rrip që supozohet të të mësojë si të marrësh frymë në mënyrë të efektshme për të stërvitur muskujt e barkut.

Ekspertët thonë se teknologjia e re përshtatet me përdoruesit dhe më pas e bën jetën jo vetëm më të lehtë por edhe më të mirë.

"Në 2018-ën po shohim gjithnjë e më shumë robotë, pajisje të inteligjencës artificiale, që na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm dhe parashikojnë nëse do të sëmuremi apo për çfarë ndërhyrje kemi nevojë", thotë Gary Shapiro, me Shoqatën për Teknologjinë e Konsumatorit.

Por si gjithmonë, shqetësimi është se sa më shumë teknologjia të mësojë rreth nesh, aq më të prekshëm jemi për hakerët të cilët mund të gjejnë mënyra për ta përdorur këtë informacion kundër nesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG