Lidhje

Brazil: Teknologjia në shërbim të ruajtjes së rendit dhe popullsisë


Gjatë vitit 2015 në Brazil u vranë më shumë se 50 mijë njerëz, duke e renditur këtë vend në listën e vendeve me ritmet më të larta të vrasjeve në shkallë globale. Në përgjigje të situatës, brazilianët po përdorin telefonat për të njoftuar njëri-tjetrin në rastet kur shpërthen dhuna.

Brazili me mbi 200 milionë banorë regjistron dhjetëra mijëra vrasje në vit; rreth 5 mijë vetëm në Rio de Zhanerio vitin e kaluar.

Përhapja e dhunës, kryesisht në qytete të mëdha si Rio, është shqetësim gjithnjë e më i pranishëm.

Aplikacione të reja si OTT u mundësojnë banorëve që të paralajmërojnë të tjerët kur hasin probleme. Programi ofron njoftimet për rrezikun dhe një hartë se ku po ndodhin problemet. Robson Des Santos është shofer me sherbimin UBER të taksive.

“Ndihmon shumë sepse mund të shmangësh zonat ku ka incidente të dhunshme apo përleshje dhe njoftimi të vjen në kohë reale.”

Krijuesit e aplikacionit që nënkupton “ku ka të shtëna” dëshironin të lejonin njoftimet për problemet me video, zë dhe tekst në të gjitha platformat. Henrique Camanho është operator me aplikacionin OTT.

“Nga ky stacion zanor të menjëhershëm, përçojmë të dhënat në platformat e tjera si Whatsapp, Telegram, Instagram, Twitter, Facebook."

Aplikacioni “Fogo Cruzado”, që do të thotë shkëmbim zjarri, mbledh të dhëna për krimet që pasqyrohen në hartë dhe synimi është informimi i popullsisë për zonat e rrezikshme të qytetit. Cecilia Olliveira është punonjëse me aplikacionin Fogo Cruzado.

“Në Rio është diçka e zakonshme të përballesh me plumbat qorrë. Një rast konkret është vajza Maria Eduarda që u godit brenda shkollës. Gjatë pushimit të gjatë në oborrin e shkollës ajo u godit ndërsa policia po kryente një operacion aty pranë.”

Fatkeqësisht, ekspertë të shëndetit publik thonë se ndërthurja e krizës politike me atë ekonomike e bëjnë të vështirë zgjidhjen e situatës brenda një periudhe të shkurtër. Cecillia Olliveira është me aplikacionin Fogo Cruzado.

“Nuk shoh ndonjë përmirësim në sigurinë publike. Kemi një krizë të thellë politike në Rio që është përkeqësuar nga kriza ekonomike. Është e vështirë të propozosh një politikë të re pa fondet e duhura për zbatimin e saj. Aktualisht, madje as punonjësit e sigurisë nuk paguhen në kohë.”

Por deri sa të përmirësohen gjërat, aplikacione si OTT dhe Fogo Cruzado po ndihmojnë qytetarët që të shmangin vatrat e zjarrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG