Lidhje

Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë


Në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako u lirua sot nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kjo lëvizje u motivua me nevojën për ritme më të shpejta dhe një dinamikë më të madhe pune të Policisë përballë objektivave që duhet të realizojë. Opozita nga ana e saj foli për një lëvizje të vonuar, por duke satësuar se sipas saj Drejtori i Përgjithshëm kishte qenë vetëm një “kokë turku”.

Haki Cako drejtor i pergjithshem i Policise
Haki Cako drejtor i pergjithshem i Policise

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, i dha sot lamtumirën detyrës, pas gati 3 vitesh në këtë post. Ai u lirua me një vendim të Qeverisë, pas propozimit të bërë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ka ndërmarrë lëvizje të forta, të nisura që marsin e kaluar, kur qëndroi për një periudhë të shkurtër kohe në këtë detyre, e më pas me rikthimin e tij me formimin e qeverisë së re.

Sipas një njoftimi zyrtar, zoti Xhafaj pati një takim me drejtorin në ikje të cilin e ka falenderuar “për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit”. Por teksti i mëtejshëm jep në një farë mënyre dhe disa shpjegime për arsyet e lirimit të zotit Cako. “Realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit – vijon më tej njoftimi - domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit”.

Ndërsa do të duhet të dëshmojë ndarjen përfundimtare të vendit nga fenomeni i kultivimit të marijuanës, i cili vitin e kaluar ra drastikisht në kuota shumë të ulta, policia ka ndërmarrë që prej nëntorit të shkuar, operacionin “Forca e ligjit” që synon goditjen e grupeve kryesore kriminale dhe pasuritë e tyre. Pikërisht në këtë fillim viti priten edhe rezultatet e para për kapjen e atyre që ambasadori amerikan i konsideroi si “peshqit e mëdhenj”.

Zoti Çako ka qenë shpesh në qendër të akuzave të vazhdueshme të opozitës, veçanërisht lidhur me fenomenin e përhapjes së kultivimit të marijuanës gjatë vitit 2016. Në një reagim të parë për lirimin e tij nga detyra, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se “është një hap tejet i vonuar Është një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi, institucionin e Policisë së Shtetit. Por pa dyshim që Haki Çako është siç ishte një “kokë turku”. Sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama”.

Këto koment ai bëri në përfundim të një takimi me partitë aleate, gjatë së cilit, siç shpjegoi ai, ishte diskutuar “me detaje për një aksion intensiv dhe kompleks opozitar, përfshirë dhe sezonin e protestave” që pritet të hapet me një protest të parë brenda këtij muaji. Një ditë më parë, ai diskutoi për të njëjtat çështje dhe me drejtuesit e Lëvizjes socialiste për integrim. Sipas opozitës, vendi ndodhet në një krizë të gjithanshme, dhe zgjidhja e vetmja sipas saj mbetet largimi I kryeministrit Edi Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG