Lidhje

Presidenti Trump dhe hetimi mbi ndërhyrjen ruse


Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller që po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, ka diskutuar me ekipin ligjor të presidentit Donald Trump mundësinë për të thirrur në intervistë presidentin.

Palët u takuan muajin e kaluar, por sipas zyrtarëve në dijeni të çështjes, asnjë detaj për një intervistë të mundshme nuk është përpunuar ende.

Ish shefi i Byrosë Federale të Hetimit Robert Mueller po drejton hetimet prej disa muajsh që kanë rezultuar deri tani me ngritjen e aktakuzave ndaj katër personave, ku përfshihen dhe ish menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manaforti si dhe ish këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse presidenti Trump u përpoq të pengonte punën e FBI-së duke shkarkuar ish drejtorin James Comey.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë Ty Cobb tha se administrata nuk komenton mbi hetimin që po kryen zoti Mueller dhe ka bashkëpunuar në mënyrë që "të lehtësojë një zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme".

Sipas një vlerësimi të vitit të kaluar të agjencive amerikane të zbulimit Rusia zhvilloi një fushatë që synonte zgjedhjet amerikane me qëllim dëmtimin e fushatës së demokrates Hillary Clinton dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitonte.

Presidenti Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur që njerëzit e fushatës së tij të kenë patur lidhje me Rusinë. Të shtunën e kaluar ai tha se nuk ka patur "bashkëpunim të fshehtë" dhe se nuk është kryer "asnjë krim".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG