Lidhje

Shumë salvadorianë në SHBA, përballë pasigurisë ligjore


Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar se do t’u heqë Statusin e Mbrojtjes së Përkohëshme shtetasve salvadorianë që kanë përfituar nga ky status që nga viti 2001. Mbi 260 mijë salvadorianë janë të mbrojtur nga ky status, por administrata Trump deklaroi se kushtet në vendin e tyre janë përmirësuar mjaftueshëm për të bërë të mundur kthimin e tyre në atdhe. Vendime të ngjashme janë marrë për të anuluar masa mbrojtëse ligjore për shtetas të Haitit, Nikaraguas dhe Sudanit. Këto vendime ndikojnë jo vetëm tek personat që kanë përfituar nga statusi, por edhe tek familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara. Zëri i Amerikës bisedoi me një familje në Virxhinia që ndodhet përballë dilemës për të ardhmen:

Jose Hercules ishte 15 vjeç kur erdhi në Shtetet e Bashkuara me një synim të vetëm:

“Synimi ishte të punoja. Nuk e mendoja mundësinë e shkollimit, doja punë”.

Jose kishte ardhur vetëm dhe pa dokumente imigrimi. Pas disa punëve të përkohëshme, ai mësoi kopshtarinë, mori leje pune përmes statusit të mbrojtjes së përkohëshme dhe filloi të bënte një jetë të rregullt. Sot ai ka biznesin e tij, punëson dy punonjës dhe siguron jetesën për veten, gruan, shtetase amerikane me origjinë nga Salvadori, si dhe dy djemtë e lindur në Shtetet e Bashkuara.

Ai përfitoi nga programi i vitit 2001 që u ofroi strehim në Shtetet e Bashkuara mbi 260 mijë salvadorianëve, pas një tërmeti shktatërrimtar në atdheun e tyre. Programi skadon në shtator 2019 nëse nuk merret vendim për ta zgjatur. Administrata Trump njoftoi dje se ka në plan ta lejojë të skadojë si program. Si rezultat, salvadorianë si Jose Hercules ndeshen me kërcënimin e deportimit. Një jetë e pasigurtë e pret Josenë në Salvador:

“Është vend me krime. Çdo gjë është e vështirë, nuk ke paqe e siguri si këtu. Mbi të gjitha është problemi i punës për të siguruar jetesën për familjen”.

Jose mund të humbasë lejen e punës. Ai përllogarit se mund t’i kushtojë rreth 7 mijë dollarë të marrë një avokat për të siguruar leje të re pune. Familja do të ndikohet nga çdo ndryshim që prek Josenë:

“Do të shkoj pas burrit, pas fëmijëve. Do të shkojmë së bashku. Nëse nuk kemi zgjidhje tjetër, atë do të bëjmë,” thotë bashkëshortja, Sonia Hercules.

Në maj, statusi i mbrojtjes së përkohëshme për haitianët ishte në rrezik. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, i cili në atë kohë ishte Sekretar i Sigurisë Kombëtare, tha se programi nuk ishte krijuar si një përfitim pa afat kohor.

“Edhe në përkufizimin e programit përmendet fjala “i përkohëshëm”.

Ministri i Jashtëm i Salvadorit, Hugo Martinez ka në plan të lobojë fuqishëm në përgjigje të vendimit të ri:

“Kemi një mundësi kohore të lobojmë me ngulm për ligje në favor të shtetasve tanë që kanë qenë nën mbrojtje të përkohëshme”.

Për Jose Hercules dhe familjen e tij, përpjekje të tilla nuk ofrojnë shumë shpresë apo ngushëllim.

Ai dhe shumë salvadorianë të tjerë i mbajnë shpresat tek përgjigja e Kongresit që mund të nxjerrë ndonjë masë të re legjislative për këta individë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG