Lidhje

Irani: Marrëveshja bërthamore, e panegociueshme


Irani paralajmëroi Uashingtonin se marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive të mëdha “është e panegociueshme”. Ministra e jashtme iraniane tha përmes një deklarate se Irani “nuk do të pranonte asnjë ndryshim të marrëveshjes, as tani e as në të ardhmen” dhe nuk do të “ndërmarrë veprime përtej angazhimeve të kërkuara nga marrëveshja”.

Shtëpia e Bardhë të premten vendosi të mbajë në fuqi masën e pezullimit të sanksioneve ndaj Iranit që kishin në shënjestër programin e tij të armëve bërthamore, në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Por zyrtarët e administratës Trump paralajmëruan se kjo është hera e fundit që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë në fuqi masën e pezullimit të sanksioneve. Kjo do të thotë se Uashingtoni mund të largohet nga marrëveshja brenda disa muajsh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo sjellë hollësitë.

Një tjetër hap drejt shpërbërjes së një marrëveshjeje, që Donald Trump e ka quajtur "më e keqja në histori".

Shtëpia e Bardhë tha se do të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin nëse Franca, Britania dhe Gjermania nuk bien dakord për modifikimin e saj.

Trump në tetor nuk pranoi të çertifikojë marrëveshjen, por nuk vendosi sanksionet kundër Iranit që praktikisht do t’i jepnin fund asaj.

Këtë herë, Presidenti Trump paralajmëroi se do të rivendoste sanksionet ndaj Iranit në lidhje me programin e tij bërthamor në afatin e ardhshëm, pas rreth 90 ditësh.

"Presidenti ende beson fuqimisht se kjo është një nga marrëveshjet më të këqija në histori dhe një nga të metat më të mëdha të saj është se kufizimet e lënë Iranin të lirë që në të ardhmen të zhvillojë programin e tij bërthamor dhe me shpejtësi të arrijë aftësitë e prodhimit të armëve bërthamore", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Partnerët europianë të Uashingtonit thonë se marrëveshja është ende duke funksionuar dhe nuk është e qartë nëse ata janë të hapur për rinegocimin e marrëveshjes pa përfshirjen e Iranit.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, çdo marrëveshje e re me Iranin do të duhej të përfshinte raketat balistike të Iranit dhe do të duhej ta kufizonte pafundësisht programin bërthamor.

"Ato kërkesa janë krejtësisht jorealiste, të dështuara, dhe presidenti Donald Trump e di shumë mirë këtë. Në asnjë rrethanë iranianët nuk do të pranonin të vendosnin kufizime të përhershme ndaj programit të tyre që asnjë vend tjetër nuk i ka", thotë Truta Parsi e Kështillit Kombëtar Iraniano-Amerikan.

Departamenit amerikan i Thesarit vendosi të premten sanksione të reja ndaj 14 iranianëve, duke përfshirë edhe kreun e gjyqësorit të Iranit, një përgjigje ndaj asaj që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte "trajtim i tmerrshëm i qytetarëve iranianë", duke përfshirë shtypjen e protestuesve në demonstratat e fundit anti-qeveritare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG