Lidhje

Në pritje të daljes nga Brexit, Britania sheh nga tregëtia me Azinë

  • Henry Ridgwell

Britania thotë se shpreson që një ditë të bëhet anëtare e Partneritetit Trans-Paqësor, ose TPP-së, një marrëveshje e tregëtisë së lirë që aktualisht po negociohet nga 11 vende të Paqësorit dhe Detit të Kinës së Jugut. Arsyeja është se qeveria britanike shpreson që tregëtia me ekonomi në rritje do të kompensojë për humbjet që mund të ndodhin pasi të dalë nga Bashkimi Evropian, parashikuar për në vitin 2019. Henry Ridgwell njofton se analistët vazhdojnë të jenë skeptikë se Britania mund të bashkohet me një bllok tregëtar aq larg nga brigjet e saj.

Cili është vizioni për Britaninë pas Brexit-it? Në fjalët e saj, e lirë nga prangat e Bashkimit Evropian dhe me aftësinë për të tregëtuar globalisht me ekonomitë që po rriten më shpejt.

Në një udhëtim të fundit në Kinë, Ministri britanik i Tregëtisë la të kuptohet se vendi i tij mund të hyjë një ditë në marrëveshjen për Partnetitetin Trans-Paqësor.

“E kemi thënë që duam të jemi një vend i hapur me një këndvështrim global dhe prandaj do të ishte naive që të përjashtonim çdo mundësi të veçantë për të ardhmen”.

Londra është 7 mijë kilometra nga çdo breg i Paqësorit. A do të thotë kjo se gjeografia nuk ka më rëndësi në tregëtinë e shekullit të 21-të?

“Po përdoret argumenti se sidomos ndërsa zgjerohet tregëtia e shërbimeve dhe si rezultat i teknologjisë, një koncept i tillë do të vlejë gjithnjë e më pak në të ardhmen. Dhe është e kupueshme. Megjithatë për fat të keq deri tani të paktën, të dhënat nuk e mbështesin këtë argument. Për çfarëdo lloj arsyeje, gjeografia për momentin duket se ka të njëjtën rëndësi që ka pasur”, thotë Jonathan Portes i Kolegjit “Kings” të Londrës.

Duke dalë nga Tregu dhe Doganat e Përbashkëta të Bashkimit Evropian, Britania lë pas një marrëveshje të tregëtisë së lirë që llogaritet sa gjysma e tregëtisë së saj globale. Portes thotë se do të duhen dekada që marrëveshje të tjera tregëtare të arrijnë atë nivel.

“Kompanitë tona janë në shumë raste mjaft të integruara me Bashkimin Evropian, çka do të thotë se do të ketë luhatje të ndjeshme si rezultat i implikimeve të mundshme të Brexit”.

Ish-Presidenti amerikan Barack Obama ishte një nga forcat nxitëse për Partneritetit Trans-Paqësor, por pasuesi i tij Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja, me pretendimin se do të kishte pasoja negative për të.

Negociatat mes 11 vendeve që kanë mbetur, po përparojnë ngadalë.

“TPP, si pasojë e tërheqjes amerikane ka problemet e veta të brendshme. Dhe do të na duhet të punojmë për t’i zgjidhur ato”.

Australia, një nga palët e negociatave, e mirëpret interesin e Britanisë.

Kryeministrja britanike Theresa May pritet të vizitojë Azinë pas disa muajsh, në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet para Brexitit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG