Lidhje

Vankuver, takim ministror mbi bisedimet mes dy Koreve


Vetëm disa ditë pas bisedimeve të nivelit të lartë mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson do të marrë pjesë të martën në takimin e ministrave të jashtëm në Vankuver për të shqyrtuar alternativa të tjera diplomatike kundër kërcënimit me raketa balistike bërthamore të Phenianit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Nike Ching sjellë hollësitë.

Përpjekja e fundit diplomatike vjen pasi Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut ranë dakord ditët e fundit të zgjidhin problemet përmes dialogut, pas tensioneve të përshkallëzuara mbi programin bërthamor të Phenianit.

Në rendin e ditës të takimeve në Vankuver është shqyrtimi i alternativave të tjera të trysnisë ndërkombëtare mbi Korenë e Veriut.

"Qëllimi i takimit ministror është sigurimi i një mekanizmi praktik për të ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj regjimit të Kim Jong Un-it, duke demonstruar se opsionet diplomatike mbeten të hapura dhe të mundshme", tha Brian Hook, Drejtor i Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit.

Shtetet e Bashkuara thonë se Koreja e Veriut ka vuajtur nga sanksionet globale.

"Kombinuar me rezolutat e mëparshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më shumë se 90 për qind e eksporteve të raportuara publikisht të Koresë së Veriut që nga 2016, janë tani të ndaluara. Shumë vende po ndërmarrin veprime të njëanshme për ta mbajtur përgjegjës regjimin koreano-verior".

Zyrtarët thonë se Uashingtoni nuk mbështet ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut, por Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me Kinën për eliminimin e sigurtë të armëve bërthamore të vendit për t'u përgatitur për çdo skenar.

"Pra, sugjerimi ynë është që zyrtarët ushtarakë kinezë të takohen me zyrtarët tanë ushtarakë në mënyrë që të krijojmë një plan për shkatërrimin e atyre armëve bërthamore në një mënyrë që do të ishte e sigurtë për të gjitha vendet dhe të gjithë njerëzit e përfshirë", thotë Steve Goldstein, Nënsekretar i Departamentit të Shtetit.

Analistët thonë se Kina po e trajton këtë çështje të ndjeshme me kujdes të madh.

"Ata kanë frikë se nëse bisedojnë me Shtetet e Bashkuara, kjo mund të keqintepretohet nga administrata Trump si një dritë jeshile ndoshta për të sulmuar Korenë e Veriut ose për të shkaktuar paqëndrueshmëri", thotë Bonnie Glaser nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndëkombëtare

Ndërkohë që Kina dhe Rusia nuk u ftuan në takimin e Vankuverit, zyrtarët amerikanë thonë se ato do të marrin një përmbledhje të bisedimeve të së martës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG