Lidhje

Imigrantët në portin Kale, Franca dhe Britania


Franca pritet t’i kërkojë Britanisë të paguajë më tepër për trajtimin e krizës së vazhdueshme të imigrantëve që jetojnë në kampet pranë portit të Kalesë, në veri të vendit. Kjo është rruga kryesore dhe më afërt që lidh kontinentin europian me Britaninë e Madhe. Qindra imigrantë jetojnë në kushte tepër të këqija në kampe të improvizuara përreth qytetit francez. Pas vizitës së presidentit Emmanuel Macron të martën në Kale, pritet që ai ta ngrejë këtë çështje kur të vizitojë Londrën të enjten:

Rrugët që çojnë në portin e Kalesë kufizohen nga gardhe telash. Por, megjithatë, imigrantët janë të vendosur të shkojnë në Britani… Çdo ditë ata përpiqen të hipin fshehurazi në kamionët që kalojnë nëpër Kanalin Anglez. Këta burra janë nga Eritrea dhe Etiopia. Disa vijnë nga vende të tjera afrikane dhe të Lindjes së Mesme…

Qindra vetë jetojnë në kampe përreth zonave të lira dhe pyjeve të Kalesë. Kushtet e tyre të jetesës janë të tmerrshme, por çdo ditë ata vijnë këtu me shpresën për të kaluar në anën tjetër të kanalit.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkoi në Kale të martën për t’u takuar me banorë dhe policinë lokale, të cilët ai i vlerësoi për përpjekjet e tyre në trajtimin e krizës.

“Nuk do të lejojmë në asnjë rast që këtu të lindin dhe zhvillohen rrjete imigrantësh të paligjshëm, në asnjë rast nuk do të lejojmë që këtu të kemi një tjetër kamp-xhungël, apo çdo mënyrë të pushtimit të paligjshëm të tokës,”- tha zoti Macron.

Imigrantët dhe vullnetarët që i ndihmojnë ata, e akuzojnë policinë për ushtrimin e dhunës së vazhdueshme. Ky refugjat afgan 22-vjeçar, i cili nuk donte të indentofikohej, ka tre javë që ndodhet në Kale:

"Kur na ndalon policia, na godasin, na rrahin. Natën, kur jemi duke fjetur natën, na i prishin tendat, përdorin gaz, por ne nuk mund të bëjmë asgjë,”- thotë ai.

Në kampin e njohur si “Xhungla”, në periferi të Kalesë, ka patur kohë kur kanë jetuar deri në 10 mijë imigrantë. Në vitin 2016, ish presidenti Francois Hollande çoi buldozerët në kamp dhe pasardhësi i tij, Macron, po mban një qëndrim më të ashpër, duke këmbëngulur që imigrantët të transportohen me autobuzë nga Kaleja për në qendra imigracioni, ku të shqyrtohet statusi i tyre për strehim.

Shumë nga organizatat bamirëse të imigrantëve nuk pranuan të takohen me udhëheqësin francez të martën, si protestë ndaj masave shtypëse ndaj imigrantëve.

“Tani vemë re një hap të pakuptueshëm prapa, që mund të cilësohet madje si kërcënim,”-tha një punonjës ndihmash.

Tani, në Kale ndodhen roje të kufirit britanik, sipas një marrëveshjeje mes Britanisë dhe Francës.

Zoti Macron është në plan të shkojë në Londër të enjten, për të biseduar me kryeministren Theresa May. Ai pritet t’i kërkojë Britanisë të pranojë një numër më të madh azilkërkuesish dhe të paguajë më tepër për kontrollin e kufijve. Kritikët thonë se qeveria franceze dhe ajo britanike janë duke mos i marrë parasysh faktorët që i detyrojnë imigrantët të shkojnë në Kale.

“Ata injorojnë sidomos faktin që disa njerëz kanë lidhje familjare në Britani, apo arsye të tjera përtej vullnetit të tyre. Për shembull, ata besojnë se në Britani ka më tepër mundësi për integrimin e tyre, apo ngaqë dinë gjuhën…Kaleja është një tregues se Britania është duke ju shmangur përgjegjësive,”- thotë zyrtarja e organizatës “Amnesty Intrenational”.

Britania thotë se ka një proces rigoroz për dhëninen e azilit dhe këmbëngul se është një nga donatorët më të mëdhenj në botë për programet e ndihmave për refugjatët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG