Lidhje

Parlamenti i Katalonjës drejt formimit të qeverisë së re


Parlamenti i Katalonjës u mblodh sot si një hap i parë drejt formimit të një qeverie të re. Çështja kryesore ende pa përgjigje është nëse ish-udhëheqësi i shkarkuar Carles Puigdemont mund të kthehet në detyrën e presidentit dhe të vazhdojë përpjekjet e tij për pavarësi nga Spanja.
Mbështetësit e zotit Puigdemont kanë sugjeruar se ai mund ta qeverisë nëpërmjet internetit nga Brukseli, ku ai ndodhet prej muajit tetor për t’iu shmangur arrestimit në Spanjë ku është akuzuar për tradhëti dhe kryengritje.
Qeveria spanjolle ka imponuar qeverisjen e drejtpërdrejtë të Katalonjës, pasi administrata e mëparshme e rajonit e drejtuar nga Puigdemont shpalli në mënyrë të njëanshme e pavarësinë. Zgjedhjet rajonale të muajit dhjetor i dhanë një shumicë të vogël partive separatiste sa i përket vendeve në parlament.

Në një demostrim force të palëve që kërkojnë ndarjen nga Spanja, ligjvënësit katalanas zgjodhën sot si kryetar të parlamentit politikanin pro pavarësisë Roger Torrent. Të martën vonë, dy partitë kryesore pro pavarësisë thanë se do të mbështesin Puigdemontin si kandidat presidencial.
Një votim i parë për të zgjedhur udhëheqësin e ri ka të ngjarë të kryhet më 31 janar. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka hedhur poshtë mundësinë që Puigdemont të mundë të udhëheqë vendin me Skype duke e cilësuar këtë si diçka absurde. Ekspertët ligjorë të parlamentit katalanas po ashtu kanë thënë se president duhet të jetë fizikisht i pranishëm në parlament.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG