Lidhje

Protesta në Greqi për çështjen e emrit "Maqedoni"


Qindra mijëra grekë protestuan të dielën në qytetin verior të Selanikut kundër përdorimit të fjalës "Maqedoni" në çdo zgjidhje mes Athinës dhe Shkupit mbi emrin e ish Republikës Jugosllave.

Greqia thotë se emri Maqedonia nënkupton një pretendim territorial mbi rajonin e vet verior me të njëjtin emër. Të dy vendet ranë dakord këtë muaj për të ripërtërirç përpjekjet për të zgjidhur e ngërçin e vjetër 25 vjeçar, i cili ka bllokuar përpjekjet e ish-Republikës Jugosllave për t'u bashkuar me aleancën e NATO-s dhe Bashkimin Evropian.

Dëshmitarët të dielën thanë se rreth 300,000 njerëz u mblodhën në Selanik - qyteti më i madh në rajonin e Maqedonisë e Greqisë - shumë prej të cilëve kishin ardhur nga rajonet anembanë vendit. Ishte një nga protestat më të mëdha në Greqi vitet e fundit.

Protestuesit valvitën flamuj grekë, mbanin pankarta me mbishkrimin "Ka vetëm një Maqedoni dhe është Greke!" dhe brohorisnin kur një drejtues në miting kërkoi një referendum mbi emrin, ndërsa u mblodhën rreth statujës së Aleksandrit të Madh në qendër të qytetit dhe përgjatë shëtitores bregdetare dhe në port.

Deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, Athina ka rënë dakord që vendi të mund të referohet ndërkombëtarisht si ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, emër sipas të cilit u pranua në Kombet e Bashkuara më 1993. Të dy vendet thonë se shpresojnë të arrijnë një marrëveshje deri në qershor, por një sondazh javën e kaluar tregoi se shumica e grekëve nuk duan që "Maqedonia" të përdoret në ndonjë zgjidhje për emrin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG