Kina dhe Koreja e Jugut po protestojnë vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të vënë tarifa të larta ndaj panelve diellore dhe makinave larëse që futen në Shtetet e Bashkuara. Vendimi i presidentit po nxit shqetësime në Azi për mundësinë e masave të mëtejshme proteksioniste nga ana e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump ka thënë se Uashingtoni po ashtu po shqyrton mundësinë e shtimit të tarifave të importeve të çelikut dhe aluminit.
Ministri jug-korean i tregtisë, Kim Hyun-chong i quajti tarifat të tepruara.
“Qeveria jonë shpreh keqardhje për masat e fundit mbrojtëse amerikane që cënojnë industrinë tonë. Ato janë të tepruara dhe shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.”
Ai tha se Korea e Jugut ka në plan të paraqesë në OBT një ankesë kundër Shteteve të Bashkuara.
Tarifat ndikojnë ndjeshëm tek kompanitë elektronike jug-koreane Samsung dhe LG, të cilat zotërojnë rreth një të katërtën e tregut amerikan të makinave larëse që dominohet nga kompanitë amerikane Whirlpool dhe General Electric.
Kina, partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara dhe prodhuesi më i madh në botë i paneleve diellore, tha se tarifat janë reagim i tepruar që do të dëmtonin tregëtinë globale.
Facebook Forum