Policia e Vlorës tha se bllokoi një gomone në bordin e së cilës ndodheshin rreth 1,6 tonë marijuanë,e cila po transportohej drejt Italisë. Sipas të dhënave policore gomonia super e shpejtë u zbulua rreth 20 milje larg bregdetit të Semanit, një nyje kjo e përdorur edhe më parë për trafik të narkotikëve drejt italisë.
Policia Kufitare shqiptare, Reparti “Delta Forcë” dhe Misioni italian i Rojës Bregdetare “Guardia di Finanza” u përfshinë në kontrolle në det dhe në tokë, por pa arritur të arrestojnë trafikantët. Megjithë kontrollet më të forta si të policisë shqiptare dhe asaj italiane sasi të mëdha marijuane të kultivuara në Shqipëri, sidomos gjatë vitit 2016, vijojnë të transportohen drejt Italisë.
Drejtoria e Antidrogës Italiane njoftoi se dhjetorin e vitit të shkuar policia bllokoi rreth 3,1 tonë marijuanë, kryesisht me prejardhje nga Shqipëria. Edhe në ditët e para të vitit 2018 disa operacione të policisë italiane në Bari dhe Puglia kanë bllokuar sasi të mëdha droge duke arrestuar disa shtetas shqiptarë të përfshirë në trafik. Italia është destinacioni kryesor i marijuanës shqiptare e cila transportohet kryesisht përmes hapësirës detare nga Vlora në Brindizi.
Facebook Forum