Lidhje

Presidenti Trump inkurajon firmat e huaja të investojnë në SHBA


President Donald Trump delivers a speech to the World Economic Forum, Jan. 26, 2018, in Davos.
President Donald Trump delivers a speech to the World Economic Forum, Jan. 26, 2018, in Davos.

Në një fjalim të rëndësishëm në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Presidenti amerikan Donald Trump paraqiti vizionin e tij për tregtinë ndërkombëtare duke inkurajuar firmat e huaja të investojnë në Shtetet e Bashkuara.

Duke mbrojtur fuqishëm politikën e tij "Amerika e Parë", Presidenti Donald Trump tha përpara një audience me udhëheqës botërorë të biznesit dhe politikës se bota do të përfitojë nga fuqia ekonomike e Shteteve të Bashkuara.

"Kur Shtetet e Bashkuara rriten, të njëjtën gjë bën edhe bota," tha presidenti Trump në një fjalim 15-minutësh në sesionin përmbyllës të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

"Begatia amerikane ka krijuar vende të panumërta pune në të gjithë globin dhe përpjekja për përsosmëri, krijimtari dhe inovacion në Shtetet e Bashkuara ka çuar në zbulime të rëndësishme që i ndihmojnë njerëzit kudo të jetojnë jetë më të begata dhe më të shëndetshme”.

"Amerika është e hapur për biznes dhe ne jemi sërish konkurrues," tha presidenti.

Siç ka bërë gjatë karrierës së tij politike, presidenti Trump nuk bëri asnjë kërkesë faljeje për prishjen e marrëveshjeve tregtare dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare, që ai i sheh si ngadalësim për rritjen ekonomike.

"Ne do të zbatojmë ligjet tona tregtare dhe do të rivendosim integritetin në sistemin tregtar. Vetëm duke këmbëngulur në tregtinë e drejtë dhe reciproke, mund të krijojmë një sistem që punon jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjitha kombet ", tha presidenti.

Pa përmendur Kinën, ai vuri në shënjestër aktivitetet e Pekinit, duke paralajmëruar se administrata e tij nuk do të mbyllte një sy ndaj vjedhjes së pronës intelektuale amerikane dhe ndërhyrjet për subvencione.

Presidenti u bëri gjithashtu thirrje krerëve të mbledhur në Davos që të punojnë më ngushtë me Shtetet e Bashkuara për synimet e përbashkëta të sigurisë, si mposhtja e Shtetit Islamik, presionin maksimal për të çmilitarizuar gadishullin Korean nga armët bërthamore, dhe lufta kundër terrorizmit në të gjitha format e saj.

"Administrata ime është krenare që ka bërë përpjekje historike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në mbarë botën për të bashkuar të gjitha kombet e civilizuara në fushatën tonë të presionit maksimal për të çmilitarizuar Gadishullin Korean", tha zoti Trump. "Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje partnerëve që të marrin masa ndaj Iranit për mbështetjen e terroristëve dhe të mos e lejojnë të sigurojë armë bërthamore".

Në një sesion të shkurtër me pyetje përgjigjje pas fjalimit të tij, Trump e quajti veten "një udhëheqës entuziast "për Shtetet e Bashkuara dhe vuri përsëri në shënjestër një nga objektivat e tij të preferuar, median.

"Derisa u bëra politikan nuk e kuptova se sa e keqe, sa e keqe, sa e keqe dhe sa i rremë mund të jetë shtypi", tha ai, duke nxitur reagime në sallë.

Trump kritikoi gjithashtu demokratët e opozitës, duke pretenduar se politikat e tyre të orientuara drejt rregulloreve do të kishin ngadalësuar rritjen ekonomike.

Atmosfera e përgjithshme gjatë Forumit të Davosit ka qenë optimiste, me Fondin Monetar Ndërkombëtar që parashikon rritje të sinkronizuar globale për vitin e ardhshëm. Por prapa dyerve të mbyllura, kishte diskutime edhe për rreziqet përpara.

Raporti i Forumit të Davosit titullohet "Çarjet, Shqetësimet dhe Dështimet ", një reflektim i tensionit në rritje në arenën globale, thotë Inderjeet Parmar, profesor i politikës ndërkombëtare në universitetin City University London.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG