Gjykata e lartë e Venezuelës përjashtoi koalicionin opozitar nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale, një lëvizje që praktikisht i siguron presidentit të majtë pa mbështetje popullore Nicolas Maduro, fitoren e një mandati tjetër.
Regjistrimi i partive dhe kandidatëve për zgjedhje ishte planifikuar të ndodhte këtë fundjavë.
Megjithatë të enjten vonë Gjykata e Lartë i kërkoi Këshillit Kombëtar të Zgjedhjeve ta shtyjë regjistrimin për gjashtë muaj. Gjykata nuk dha arsye për këtë vendim.
Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në fund të prillit, gjë që i pamundëson opozitës futjen e ndonjë kandidati në garë. Fillimisht zgjedhjet ishin planifikuar për në dhjetor.
Të martën Asambleja Kushtetuese miratoi njëzëri kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, në një përpjekje të Partisë Socialiste në pushtet për të konsoliduar pushtetin, mes vështirësive të mëdha ekonomike të Venezuelës.
Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar ashpër vendimin e Asamblesë për ndryshimin e datës së votimit.
Të enjten para vendimit të Gjykatës së Lartë, zëdhënësja e departamentit të Shtetit Heather Nauert ripohoi qëndrimin e departamentit duke thënë se: "ky votim nuk do të ishte as i lirë, as i drejtë.
Ai do të thellonte më tej dhe nuk do të ndihmonte në zgjidhjen e tensioneve kombëtare. Nuk do të ishte pasqyrim i vullnetit të popullit venezuelian dhe do të shihej si jo-demokratik dhe i paligjshëm në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. I bëjmë thirrje regjimit të Maduros të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve të saj dhe të rikthejë rendin demokratik kushtetues".
Përfaqësuesit e qeverisë së Venezuelës dhe të opozitës patën negociuar nën patronazhin ndërkombëtar në Republikën Domenikane, në përpjekje për të rënë dakord mbi një kornizë për zhvillimin e zgjedhje të ndershme.
Asnjë marrëveshje nuk u arrit në këto bisedime. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha për gazetarët se "vendimi i Asamblesë të paligjshme Kushtetuese për zhvillimin më shpejt të zgjedhjeve edhe pse negociatat në mes të opozitës dhe regjimit të shumicës janë në proces, minojnë negociatat dhe mundësinë që vetë populli venezuelian të marrë pjesë në mënyrë domethënëse në zgjidhjen e krizave të shumëfishta që janë shkaktuar nga regjimi i Maduro-s".
I pyetur nëse po shqyrtohen sanksione të mëtejshme kundër Venezuelës, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se ato gjithmonë janë nën shqyrtim.
Manovra zgjedhore vjen në një kohë kur Venezuela po përjeton një krizë të thellë ekonomike. Agjencia Franceze e lajmeve njoftoi se inflacioni këtë vit pritet të arrijë në 13 mijë për qind.
Nën qeverisjes e Maduros, forca blerëse e parasë ka rënë ndjeshëm dhe çmimet për mallrat e konsumit janë rritur.
Venezuela ka refuzuar të pranojë problemin e urisë dhe të kequshqyerjes dhe ka refuzuar të gjitha ndihmat humanitare ndërkombëtare. Por shumica e vendit prej 30 milionë banorësh thonë se kanë shkurtuar vaktet për shkak të mungesës së ushqimit. Rreth 500 mijë njerëz janë larguar nga vendi gjatë dy viteve të fundit.
Facebook Forum