Drejtori i atletikës i Universitetit Shtetëror të Miçigan-it Mark Hollis dha dorëheqjen të premten, dy ditë pas largimit të presidentes së shkollës. Doreheqjet vijnë në mes të një stuhie kritikash lidhur me mënyrën se si u trajtua skandali i sulmeve seksuale që çoi në dënimin e ish-anëtarit të universitetit dhe ish mjekut të ekipit të gjimnastikës Larry Nassar.
Nassar u dënua të mërkurën me 40 deri në 175 vjet burg pasi u deklarua fajtor për abuzimin seksual të më shumë se 150 gjimnastve femra, disa të moshës gjashtë vjeç duke përdorur si justifikim trajtimit mjekësor për më shumë se dy dekada.
Hollis e bëri publik aktin e dorëheqjes së tij para një grupi të vogël gazetarësh në kampus dhe kur u pyet se përse po largohej ai tha: "sepse kjo gjë me shqetëson". Hollis tha gjithashtu tha se shpreson që dorëheqja e tij "të mund të ndihmojë sado pak në procesin e shërimit".
Presidentja e universitetit Lou Anna Simon dha gjithashtu dorëheqjen të mërkurën vonë, menjëherë pas dënimit të Nassarit.
Ndërkohë, drejtuesit e Federatës Amerikane të Gjimnastikës qëndruan në heshtje sot pavarësisht presionit të zyrtarëve të Komitetit Olimpik Amerikan dhe zërave të tjerë për dorëheqje në grup, dy ditë pasi mjeku i skuadrës u dënua për abuzim me atletet femra.
Sipas Komitetit Olimpik Amerikan, Bordi i Gjimnastikës duhet të japë dorëheqjen ose do të humbasë çertifikimin si një organ qeverisës kombëtar. Afati i fundit është 31 Janari.
Në një përgjigje dje Federata Amerikane e Gjimnastikës tha se "i përqafon plotësisht kërkesat" e Komitetit Olimpik. Dorëheqja e të gjithë bordit është pika kryesore e një liste ndryshimesh të detyrueshme që Komiteti Olimpik i dërgoi Bordit Amerikan të Gjimnastikës.
Presidenti i Komitetit Olimpik Amerikan Scott Blackmun përmendi "dëshmitë tronditëse dhe tragjike që tregojnë abuzimin ndër vite të atletëve të pambrojtura nga Larry Nassar". Në letrën dërguar organizatës së gjimnastikës ai shkruan se "ne duhet të ndërmarrim masa të mëtejshme për të siguruar që kjo të mos ndodhë më".
Por të dy këto organizma janë përballur me kritika të forta pas zbulimit të abuzimeve sistematike që Nassari bënte me viktimat. Sipas këtyre zërave, të dy organizatat nuk bërë përpjekje të mjaftueshme për të mbështetur gjimnastet dhe për të parandaluar abuzimiet.
Facebook Forum