Lidhje

Detroit, kisha mbron familjen shqiptare nga deportimi


Një familje shqiptare në Detroit që ndodhet në vështirësi shëndetësore ka gjetur strehë në një kishë në qendër të qytetit për t’iu shmangur deportimit. Ded Rranxburgaj pranon se ka ardhur në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, por ai thotë se deportimi i tij do të linte pa ndihmë bashkëshorten, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Pastorja e kishës i tha Zërit të Amerikës se ajo është e vendosur ta mbrojë këtë familje nga deportimi. Ndërkohë, autoritetet e imigracionit ngulin këmbë në zbatimin e ligjit, por deri tani nuk janë përpjekur ta nxjerrin familjen nga kisha.

Detroit, familja shqiptare gjen strehim në kishë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:55 0:00

Kisha Central United Methodist Church në qendër të Detroitit ka një histori mbi 200 vjeçare. Por kohët e fundit ajo është bërë sidomos e njohur për rastin e një familjeje shqiptare që është strehuar aty për t’i shpëtuar deportimit.

44-vjeçari Ded Rranxburgaj nga Shkodra prej ditësh banon në një apartament brenda kishës bashkë me gruan e tij Flora, e cila është e prekur nga skleroza shumëfishe.

Deda erdhi ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001 bashkë me djalin, Lorencin.

Më vonë erdhi edhe gruaja, dhe atyre u lindi një djalë tjetër Eriku, që tani është 15 vjeç.

Por pas disa vjetësh bashkëshortja u sëmur dhe kjo e vuri familjen në vështirësi mjaft të mëdha. Ndërkaq, sëmundja e Florës ka përparuar.

Deda ngul këmbë se deportimi i tij do të ta bënte jetën të papërballueshme për familjen e tij.

Pastorja e kishës, Jill Zundel, thotë se ajo e ndjeu për detyrë ta ndihmonte këtë familje në vështirësi.

Zëri i Amerikës u telefonoi autoriteteve të imigracionit për t’i pyetur se si do të trajtohej me tej rasti i familjes Rranxburgaj, por nuk mori përgjigje.

Pastorja Zundel tha se ajo nuk është kontaktuar nga autoritetet, por nuk beson se ligjzbatuesit do të hyjnë në kishë për ta marrë forcërisht familjen Rranxburgaj:

“Të gjithë besimtarët tanë e dinë se nëse dikush hyn dhe përpiqet ose kërcënon të bëjë diçka, atëherë ne do të dalim live në Facebook që çdo njeri të shohë se si po trajtohet kjo familje. Por ata duhet të kenë një urdhër të firmosur nga gjykatësi. Gjithashtu unë nuk do t’u tregoj se në ç’pjesë të ndërtesës ndodhet familja. Ne do të bllokojmë çdo derë që ata të mos arrijnë dot te familja.”

Deda thotë se nuk ka frikë. “Jam në shtëpinë e Zotit”, tha ai.

Ben Pllumaj, President i Kristel Group Inc., thotë se zoti Rranxburgaj është njeri i drejtë dhe punëtor, që e ndihmon komunitetin.

Për Dom Ndue Gjergjin, famulltar i kishës Zoja Pajtore në Miçigan, rasti i familjes Rranxburgaj duhet trajtuar me përparësi nga autoritetet.

Autoritetet ngulin këmbë se duan të zbatojnë ligjin për ata që hyjnë në vend ilegalisht, por pastorja thotë se ajo po ndodh me familjen Rranxburgaj nuk është e moralshme.

Por pastorja Jill Zundel thotë se kisha e saj i përmbahet ligjit moral:

“Fakti që kemi të bëjmë me një ligj nuk do të thotë që është i drejtë. Ajo që po i imponohet Dedës dhe familjes së tij nuk është një ligj i moralshëm. Prandaj ne po ngrihemi mbi të për ndjekur Jezusin, Zotin dhe t’i përgjigjemi asaj thirrjeje më të lartë.”

Ajo krenohet sidomos për faktin që nga podiumi i kësaj kishe ku predikon për besimtarët, dikur ka folur Martin Luther Kingu, mbrojtësi i njohur i të drejtave civile amerikane.

Pastorja e shikon rastin Rranxburgaj si një mundësi për të nxitur politikanët që të reformojnë sistemin amerikan të imigracionit.

Sa për Dedën dhe Florën, ajo shpreson se autoritetet do të lejojnë që ata të vazhdojnë jetën e tyre në Amerikë pa frikën e deportimit. Deri atëherë, çifti Rranxburgaj do të banojë në apartamentin brenda kishës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG